Tensione para Kryeministrisë, hidhen molotovë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë
Disa momente tensioni u regjistruan pasditen e sotme në protestën e studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit hodhën bomba molotov, kapsolla dhe mjete piroteknike drejt forcave të policisë, ndërkohë që forcat e shumta të policisë iu përgjigjën, duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Situata u përshkallëzua në vijim kur një dron i policisë u rrëzua mbi protestuesit, ndërkohë që Policia nisi shpërndarjen e protestuesve të dhunshëm duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Me ndërhyrjen e Policisë, protestuesit u larguan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duke u shpërndarë në grupe të vogla në rrugët dytësore të kryeqytetit.
Në ditën e 19-të të protestës, studentë, të rinj dhe qytetarë u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ku pati përplasje me forcat e rendit. Protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, Partia Demokratike po zhvillon sot protestën kombëtare në mbështetje të revoltës studentore, pavarësisht se më herët studentët kundërshtuan përfshirjen e militantëve dhe deputetëve të PD-së në protestën e tyre.
Fraksion.com

