Pas dhunuesit Gerald Biba, arrestohen edhe 2 personat që tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec
Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Zvërnec, ku qytetarë protestuan kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Ngjarja pati reagime të shumta pasi një pjesëmarrës në protestë u tërhoq zvarrë dhe u godit.
Policia sqaron se në pranga janë vene dy persona pasi kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim.
Njoftimi i plotë
Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

