Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të martë, 19 maj, konferencë për shtyp nga selia blu, ku u ndal fillimisht te sektori i ekonomisë, kryesisht te tenderat.
Ai akuzoi se vetëm 5-8% e projekteve në vend përfundojnë punimet, ndërsa shtoi se vjedhja e tenderave arrin deri në vlerën 1.2 miliardë euro.
“Çmimet rriten çmendurisht. Sot Shqipëria ka naftën, një nga 8 vendet me çmimin e naftës më të lartë në botë. Qeveria shqiptare kryen vetëm një detyrë: vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e fondeve publike. Treguesit janë katastrofalë. Vetëm 8%, 5-8% e projekteve përfundojnë. Të tjerët avullojnë, grabiten. Korrupsioni dhe vjedhja në tendera arrin në vit në 1.2 mld euro. Vjedhja në tendera tejkalon fondin e pensioneve të Shqipërisë. Vetëm në tendera. Shpalljet se Shqipëria investon 10% të prodhimit të brendshëm janë një mashtrim. Për të arritur në këtë shifër të pavërtetë, qeveritarët llogarisin tenderat e dështuar, të anuluar. Fakti është se investimet arrijnë gjithsej 4.9%, arrijnë në shifrat më të ulëta në Evropë. Më katastrofal është finalizimi i projekteve. Gjithsej 5-8%. Do thoni ju se shteti është i falimentuar, shtet hajdut. Kompanitë nuk përfundojnë asgjë në afat sepse ndajnë paratë me qeveritarët”, tha ai.
Sa i përket zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se procesi është transparent dhe demokratik. Ai shtoi se prania e tij në këtë proces, mund të bëjë që persona të tjerë të mos dëshirojnë hyrjen në garë për shkak të frikës nga rezultati.
“Më 23 maj anëtarët e PD janë të ftuar në një proces “një anëtar, një votë” të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në mënyrën, në votimin më transparent, procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së. Ky proces, dua të sqaroj, ky proces, i cili u përfol nga ligësitë në mënyrën më të papërmbajtur, shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie. Por natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në proces, por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve, kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerë nuk hyjnë në garë. Jo se s’mund të hyjnë, mund të hyjnë, por se nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk e kanë të sigurt rezultatin. Kjo është statistika e kësaj lloj gare“, tha ai.
Frqksion.com