Berisha: Gara për kreun e PD, procesi më demokratik i zgjedhjes së një lideri partie
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se procesi për zgjedhjen e kreut të PD-së më 23 maj do të jetë “më transparenti”, duke u zhvilluar sipas parimit “një anëtar-një votë”.
Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se anëtarët e PD-së do të thirren për të shprehur votëbesimin ndaj tij për një mandat tjetër katërvjeçar në krye të partisë.
“Me datën 23, anëtarët e PD janë të ftuar në një proces “një anëtar-një votë” të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në votimin më transparent procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD. Ky proces shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie”, tha Berisha.
Sipas tij, “prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 për qind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë”.
Berisha krahasoi procesin në PD me atë të Partisë Socialiste, për të cilën tha se, megjithëse e ka të parashikuar në statut parimin “një anëtar-një votë”, nuk ka zhvilluar një proces të tillë që nga viti 2009.
Fraksion.com

