AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: “EU4Municipalities II” investim strategjik i BE, modernizim i institucioneve tona vendore

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku mori pjesë sot në nisjen zyrtare të programit “EU4Municipalities II”, një nismë strategjike që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Programi do të mbështesë bashkitë me investime konkrete, rritje të kapaciteteve institucionale dhe modernizim të shërbimeve për qytetarët.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ky projekt përbën një investim strategjik të Bashkimit Europian për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Ky program lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që përmes tij institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore, që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë, në rast se nuk fokusohemi me gjithë forcën sot tek adresimi i tij”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se, Bashkimi Europian dhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe një sfidë e madhe, veçanërisht në nivelin vendor.

Sipas tij, konsolidimi i qeverisjes vendore është pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e funksionimit të marrëdhënieve mes BE-së dhe një vendi anëtar.

Rama nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes së BE-së për vendet anëtare lidhet me nivelin vendor dhe aftësinë e tyre për të thithur dhe menaxhuar këtë mbështetje.

“Në këtë pikë, ky program është kyç. Nuk janë 11 milionë eurot e para thjesht si shumë financiare, por i gjithë instrumenti dhe mënyra si është ndërtuar ai, që duhet t’i bëjë të gjitha bashkitë jo vetëm të interesuara, por edhe plotësisht të angazhuara për të pasur akses në këtë instrument”, tha Rama.

Ai shprehu besimin se me mbështetjen e aktorëve të përfshirë dhe veçanërisht të partnerëve gjermanë nga GIZ, programi do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e pushtetit vendor në Shqipëri.

Rama vlerësoi gjithashtu rolin e ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, duke theksuar eksperiencën e tij si ish-kryetar bashkie, si një vlerë e shtuar për të nxjerrë maksimumin nga ky potencial në të gjitha bashkitë e vendit.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com