AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

Kos: Serbia pa fonde nga Plani i Rritjes derisa vlejnë ligjet e diskutueshme për gjyqësorin

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Serbia nuk do të marrë mjete financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për aq kohë sa ligjet e diskutueshme për gjyqësorin mbeten në fuqi.

“Për momentin i kemi pezulluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë, dhe derisa ta përmirësojë këtë, nuk do të mund të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, tha Kos gjatë një fjalimi në Universitetin e Friburgut në Zvicër.

Ligjet e diskutueshme, të ashtuquajtura “ligjet e Mërdiqit”, të miratuara në janar të këtij viti, për BE-në përbëjnë një hap prapa në procesin e integrimit të Serbisë në këtë bllok.

Kos ka paralajmëruar edhe më herët, në disa raste, se këto ligje e kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Më 24 prill, Komisioni i Venecias vlerësoi se me ndryshimet e fundit në paketën e ligjeve për gjyqësorin në Serbi, janë hequr mbrojtjet ekzistuese të autonomisë së prokurorisë.

Ky organ ekspertësh i Këshillit të Evropës i dha Serbisë nëntë rekomandime se si t’i eliminojë mangësitë.

Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia që t’i zbatojë plotësisht të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për gjyqësorin dhe njëkohësisht të pezullojë zbatimin e këtyre ligjeve deri në ndryshimin e tyre.

Nga fondet e Planit të Rritjes, Serbia ka të drejtë në gjithsej 1.588 miliard euro për periudhën 2024-2027.

Kjo shumë përfshin grante dhe kredi të destinuara për mbështetjen e reformave, ndërsa mjetet paguhen dy herë në vit, në bazë të përparimit të bërë.

Në janar, Serbia mori pak më shumë se gjysmën e fondeve të alokuara nga kësti i parë i Planit të Rritjes, pasi u zbulua se kishte përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e planifikuara.

Në vend të 112 milionë eurove të planifikuara, ajo mori 61.1 milionë euro.

Së bashku me fondet e parafinancimit – 7% e shumës së përgjithshme të ndarë – shuma totale që Serbia ka marrë deri më tani nga Plani i Rritjes është 167.59 milionë euro.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e Bashkimit Evropian, e miratuar në fund të vitit 2023, me qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë.

Institucionet evropiane kanë ndarë gjithsej gjashtë miliardë euro për këtë program, për periudhën 2024-2027.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com