AktualitetTë fundit

“Jerusalem Post”: Shqipëria, një nga destinacionet më tërheqëse të Evropës

Mes Ballkanit, pranë Greqisë ndodhet Shqipëria, e cila ofron gjithçka që mund të ëndërroni;kulturë dhe histori të pasur, qytete bregdetare magjike me rërë të bardhë, udhëtime malore dhe shumë më tepër, shkruan prestigjiozja izraeite “Jerusalem Post”.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë, falë çmimeve të përballueshme dhe vijave të saj bregdetare spektakolare si dhe qyteteve historike. Kjo vihet re veçanërisht ndërkohë që destinacionet kryesore evropiane si Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia po përballen me mbingarkesë turistike.

Alpet Shqiptare janë bërë gjithashtu një alternativë e përkryer ndaj Dolomiteve, të cilat kohët e fundit po përballen me rritje të vizitorëve dhe presion mbi infrastrukturën.

Revista “Euronews “ka përmbledhur gjithçka që duhet të dini përpara se të planifikoni një udhëtim në këtë vend të Evropës Juglindore, i cili nuk është shumë i njohur, por që izraelitët kanë filluar ta frekuentojnë që prej vitit të kaluar, falë fluturimeve të shkurtra (rreth dy orë) dhe çmimeve të ulëta.

Vitin e kaluar dhe në vitet e mëparshme, disa kompani ajrore ofronin fluturime direkte drejt këtij destinacioni, megjithatë aktualisht (për shkak të luftës) nuk dihet nëse do të jetë e mundur të arrihet drejtpërdrejt këtë verë.

Ja disa vende që ia vlen t’i shtoni në listën tuaj të dëshirave.

Tirana

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u ofron udhëtarëve një kulturë të gjallë dhe histori të pasur. Si një qytet që po transformohet shpejt nga komunizmi i mbyllur në një qendër të gjallë ballkanike, ai paraqet një përzierje unike të arkitekturës italiane, osmane dhe komuniste.

Rekomandohet të vizitoni vende ikonike si “Piramida e Tiranës”, muzetë historikë “Bunk’Art 1 “dhe “2 “dhe “Shtëpia e Gjetheve” për të mësuar më shumë rreth historisë komuniste të qytetit. Nga ana tjetër, për t’u mahnitur nga ndërtesat shumëngjyrëshe dhe artistike, sugjerohet një tur në këmbë.

Tirana ofron gjithashtu një kulturë të zhvilluar kafenesh dhe baresh, ku turistët mund të shijojnë ushqime lokale si byreku.

Qyteti gjithashtu ofron akses të lehtë drejt maleve dhe natyrës përreth.

Riviera Shqiptare

Riviera Shqiptare ofron vijë bregdetare spektakolare së bashku me plazhe të fshehura si Gjipe dhe Filikur. Pasi të mbërrini në zonë, mund të relaksoheni në plazhe me rërë të bardhë ose me guralecë, ose të bëni një udhëtim me varkë për të zbuluar gjire të fshehura.

Adhuruesit e sporteve ujore mund të bëjnë kajak ose snorkeling dhe të zbulojnë mrekullitë e Detit Jon, si dhe të zhyten në burimin natyror “Syri i Kaltër”.

Rekomandohet të vizitoni Kalanë e Porto Palermos nga shekulli XIX ose parkun arkeologjik të Butrintit, i njohur nga UNESCO. Gjithashtu, ata që pëlqejnë ecjet mund të shfrytëzojnë shtigjet e bukura të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Mund të gjeni gjithashtu ushqime deti të freskëta dhe të shijshme në shumë restorante përgjatë bregdetit në Sarandë, ose në Himarë për një përvojë më të qetë.

Alpet Shqiptare

Udhëtarët që kërkojnë një pushim të qetë dhe të paharrueshëm në mal (dhe më pak turistik) mund të drejtohen drejt Alpeve Shqiptare, të njohura edhe si “Bjeshkët e Nemuna”.

Rekomandohet të provoni itinerarin më të famshëm të ecjes në zonë, midis Valbonës dhe Thethit, i cili zgjat nga gjashtë deri në nëntë orë dhe ofron pamje mahnitëse natyrore. Alternativisht, mund të vizitoni edhe “Syrin e Kaltër të Thethit” – një pellg me ujë të ftohtë turkez pranë fshatit Ndërlysaj, ose kanionin dhe ujëvarën e Grunasit.

Në parqet kombëtare të Thethit dhe Valbonës do të gjeni fshatra tradicionale shumë të bukura, të përshtatshme për ata që duan të përjetojnë jetën malore autentike. Mund të bëni gjithashtu një udhëtim me varkë në lumin Drin që kalon përmes Liqenit të Komanit, ose të qëndroni në një shtëpi tradicionale prej guri, të quajtur “kullë”, ku ofrohet ushqim organik i përgatitur në shtëpi dhe mikpritje vendase.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com