AktualitetLife StyleTë fundit

Tirana bëhet skena e botës, Kanye West sjell një superspektakël historik në Shqipëri

Tirana është gati të përjetojë një prej ngjarjeve më spektakolare muzikore ndërkombëtare të zhvilluara ndonjëherë në vend, që do të mbahet më 11 korrik 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja njoftoi se artisti me ndikim global, Ye, i njohur me herët me emrin Kanye West, do të ngjitet në skenë për një performancë unike “one-night-only”, duke sjellë në vendin tonë një produksion gjigand, të standardeve më të larta botërore.

“Ky është një moment që vendos Shqipërinë në hartën e eventeve më të mëdha ndërkombëtare”, shprehet Gonxhja në një postim në rrjetet sociale

Kreu i MTKS tha se, Ye do të ngjitet në një skenë të ndërtuar enkas, në Eagle Stadium, me rreth 60 000 spektatorë, në aksin Tiranë–Durrës.

Si një nga artistët më ndikues të kohës sonë, Ye ka formësuar për mbi dy dekada muzikën, modën dhe kulturën globale. Diskografia e tij përfshin albume ikonike si The College Dropout, Graduation, 808s & Heartbreak dhe Donda, të cilat dëshmojnë një evolucion të vazhdueshëm artistik dhe një kërkim të pandërprerë për forma të reja shprehjeje. I njohur për qasjen e tij novatore dhe performancat që sfidojnë kufijtë e zhanreve, ai vazhdon të rishkruajë standardet e spektaklit live në skenën ndërkombëtare.

Ministri Gonxhja tha se, ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm në infrastrukturën e eventeve dhe shënon një hap të ri për pozicionimin e Shqipërisë si destinacion për ngjarje të mëdha artistike dhe kulturore.

Prania e tij në Tiranë përbën jo vetëm një moment të rëndësishëm për publikun shqiptar, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për të rritur profilin ndërkombëtar të vendit përmes industrisë së eventeve dhe turizmit kulturor. Ky aktivitet i përmasave të mëdha pritet të gjenerojë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale, duke nxitur turizmin, rritur vizibilitetin ndërkombëtar dhe krijuar mundësi të reja bashkëpunimi për profesionistët e industrive kreative dhe të eventeve në Shqipëri.

Organizimi i koncertit realizohet nga kompania ndërkombëtare “Streetlife”, në bashkëpunim me “Redcloud”, të cilët do të mbështesin realizimin në terren të këtij eventi në Tiranë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com