Peleshi vizitë në Microsoft Dublin: Shqiptari Alban Xhaferllari, dëshmi se talenti nuk njeh kufij
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi një vizitë në qendrën e Microsoft në Dublin (Irlandë).
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u njoh nga afër me zhvillimet më të fundit në ekonominë digjitale dhe inteligjencën artificiale si dhe u takua me Alban Xhaferllarin, i cili punon për Microsoft.
Sipas Peleshit, Xhaferllari është një shembull i qartë se talenti shqiptar nuk njeh kufij dhe se përmes punës dhe përkushtimit, shqiptarët po bëhen pjesë aktive e së tashmes dhe të ardhmes teknologjike botërore.
“Mbresëlënëse vizita në qendrën e gjigantit Microsoft në Dublin. Në zemër të një prej kompanive më të mëdha në botë takuam një shqiptar të talentuar që me punën dhe aftësitë e tij, e nderon emrin e kombit që i përket.
“Alban Xhaferllari është dëshmia më e mirë se talenti nuk njeh kufij. Me profesionalizëm dhe pasion, ai na prezantoi me zhvillimet më të fundit në ekonominë digjitale dhe inteligjencën artificiale, duke treguar se si kontributi i shqiptarëve është pjesë e së tashmes dhe të ardhmes teknologjike globale. Një histori suksesi që na bën krenarë!”, theksoi Peleshi.
Fraksion.com

