“Të gjithë në Tiranë për dorëheqjen e Ramës!”, Berisha: Protesta e opozitës, në 17 prill
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon këtë të shtunë, më 28 mars, një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen sa më parë, ndërsa zbuloi dhe datën e protestës së ardhshme të opozitës.
Në këtë video të transmetuar në rrjetin social Facebook, Berisha shprehu vlerësimet e tij dhe për protestën e kaluar të datës 22 mars, që sipas tij u bë kryelajm në mediat ndërkombëtare.
Mes të tjerash, ai ripërsëriti akuzat për korrupsion ndaj Ramës dhe qeverisë së tij.
Berisha përmendi shumë zhvillime të fundit, mes të cilave edhe arrestimin e katër shqiptarëve në Serbi, për shkak se kishin promovuar përmes një videoje online, hartën e “Shqipërisë Etnike”.
“Në Beograd, katër shqiptarët u arrestuan sepse njëri prej tyre postoi në Facebookun e tij personal një status me flamur në të cilin paraqiteshin portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit me një hartë të vizatuar nga Ismail Morina dhe thuheshin disa fjalë të papërshtatshme për Serbinë.”, tha ai.
Përse nuk ngujoheni në çadrat para parlamentit ose kryeministrisë?
Kjo ishte një nga pyetjet që një qytetar i kishte drejtuar kreut të PD-së, pasi me protestat nuk konsideronte se ishte arritur ndonjë gjë.
Por Berisha u shpreh se protestat e organizuara nga opozita kanë arritur të kthejnë çështjen e korrupsionit të qeverisë Rama në nivel ndërkombëtar, pavarësisht se nuk arritën largimin e kryeministrit.
“Me protesta kemi arritur shumë,” tha Berisha, duke shtuar se përpjekjet opozitare kanë bërë që vendet kryesore të Bashkimit Europian të reagojnë për mbrojtjen e Ballukut para vendimit të famshëm të Ramës në parlament.
Ai theksoi se dokumenta ndërkombëtare e kanë stigmatizuar kryeministrin Rama si “autor i narkoshtetit të parë dhe mbrojtës kryesor i korrupsionit”.
Berisha po ashtu pranoi se protestat nuk realizuan gjithçka që do të dëshironin, por kanë mbrojtur “nderin dhe dinjitetin e shqiptarëve” dhe i kanë vendosur kryeministrin Rama dhe anëtarët e qeverisë “në bankën e akuzës publike ndërkombëtare”.
Gara në PD, së shpejti nis puna për kandidaturat
Një tjetër pyetje që Berisha përzgjodhi ta lexonte, ishte kjo: “Duke qenë se zgjedhjet vendore janë vitin e ardhshëm, a mendoni se strukturat e partisë janë kohën e duhur për organizimin apo ekziston risku që jemi me vonesë në përgatitjen elektorale në terren?”
Kryedemokrati pranoi se duhet të nxitojnë.
“Natyrisht duhet të shpejtojmë, jam plotësisht dakord me ty, por siç e shikon dhe vetë Arbër, ne jemi detyruar që në këtë periudhë të kemi një veprimtari shumëplanëshe. Nga njëra anë, po zhvillohet analiza dhe zgjedhjet në PD. Mund të ju them se, ndonëse mediat i censurojnë se kanë urdhër, pasi partia tjetër nuk bën zgjedhje, por bën emërime si në shpellat e mafies, ato po ecin shumë mirë.
Ndërkohë, po përpiqemi që të përqendrohemi dhe duhet të përqendrohem me të gjithë forcën tonë në organizim, sikundër protesta është arma kryesore e opozitës shqiptare kundër këtij regjimi.”, tha Berisha, duke shtuar se nëse më përpara gjërat merreshin një e nga një, PD tanimë nuk e ka më “luksin” ta bëjë këtë gjë dhe detyrohet të operojë “njëkohësisht në shumë drejtime”.
Kështu që, shumë shpejt sipas tij do të fillojë puna për zgjedhjen e kandidaturave dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
Berisha: Do vendosim minimumin jetik!
“Po u zgjodhe kryeministër, çfarë do bëni për familjet në nevojë, shkollat, çerdhet, kopshtët, rrugët, shtëpitë e qytetarëve, për dritat, ujin, gazin, qiratë, naftën, rrogat e punonjësve?”, kjo ishte një tjetër pyetje që iu drejtua Berishës përmes seksionit të komenteve në postimin e tij.
Berisha u zotua se me “aktin e parë të ardhjes në pushtet të PD”, ndër veprimet e javës së parë do jetë vendosja e minimumit jetik.
Sipas kryedemokratit, Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka minimum jetik dhe ndër të paktat vende në botë.
“Kjo ka bërë që sot 49 përqind e shqiptarëve të jenë në varfëri ose të kërcënuar nga varfëria. Ka bërë që 18 përqind e tyre të jenë në varfëri ekstreme. Pra me një vendim të qeverisë ne zhdukim varfërinë ekstreme në Shqipëri, ne nxjerrim nga rreziku i varfërisë një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë.”, shtoi ai.
Berisha theksoi se po ashtu do të ketë “një vrap për rritjen e rrogave dhe pensioneve të tyre”, pasi sipas tij, pensionet aktuale në Shqipëri janë “një tallje” për qytetarët shqiptarë.
“Ndaj dhe përveç vendosjes së minimumit jetik, pensionet minimale do njohin dyfishimin e tyre, pensionet e tjera do rriten me qëllimin e qartë dhe të prerë që shqiptarët, të cilët jetojnë në vendin e pasurive më të mëdha natyrore, të jenë qytetarët më të paguar të rajonit. Pra, do përqendrohemi para së gjithash në minimumin jetik, ndihmën ekonomike, pensionet e ulëta, rrogat e ulëta, mirëqenien e qytetarëve.
Së dyti, pa asnjë diskutim që nuk do injorohet. Kush është problemi tjetër sot më i dhimbshëm? Është çështja e të sëmurëve. Janë me mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda të cilët luftojnë pa ilaçe. Si në asnjë vend tjetër dhe nuk ka ndodhur kurrë përpara. Të sëmurët me sëmundje malinje kanë pasur të garantuar pa asnjë lloj diskutimi të gjitha ilaçet që përcaktoheshin nga mjekët në përputhje me diagnozën e tyre.”, deklaroi kryedemokrati.
Ai shtoi se me ardhjen e PD-së në pushtet, qeveria e tij do ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje dhe këtij problemi.
Pas shëndetësisë, Berisha shtoi se “arsimi merr përparësi absolute” dhe se do ta fillojë duke “vendosur mësuesin në piedestal, duke i arritur atij rrogën në mënyrë të ndjeshme dhe duke e bërë profesionin e mësuesit, një nga profesionet më të respektuara në këtë vend”.
Madje garantoi se “do mbeten plot para” për vepra publike, për shkolla, për spitale të reja, për autostrada, për kanalizime, për ujësjellësa.
Berisha përsërit thirrjen: Gjuani me domate dhe vezë Ballukun!
“Këshilla dhe sugjerimi im është, qytetarë dhe qytetare, kudo që ta shihni korbën e korrupsionit, gjuajeni me domate dhe vezë. Turpërojeni publikisht, se e meriton!
Le ta mbrojë Edi Rama, por qytetarët duhet t’i japin ndëshkimin që meriton duke e turpëruar në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo sallë dhe kudo që del.”, u shpreh Berisha.
Rritja e çmimit të naftës, çfarë propozon PD
Çfarë propozon PD për të mbrojtur konsumatorin sa i takon rritjes së çmimit të karburanteve, ishte një tjetër pyetje drejtuar Berishës.
“PD zotohet para shqiptarëve se, në Republikën e Shqipërisë nuk do të mund të shitet kurrë litër nafte më shtrenjtë se në Kosovë dhe në Maqedoni, ku çmimi është 60% më i ulët se në Shqipëri.”, tha Berisha.
Ai shtoi se po e ndjek situatën me shumë shqetësim dhe u zotua se në rast të ardhjes në pushtet, PD do të vendosë atë regjim fiskal i cili bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni e “asnjë qindarkë më shtrenjtë”.
“Kemi përgatitur paketën dhe javën që vjen e paraqesim edhe njëherë para publikut. Ekspertët dhe specialistët dhe deputetët tanë kanë punuar dhe do ju njohin me të.”,bëri me dije Berisha, duke shtuar se kjo kërkon gjithashtu reagim qytetar dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të protestojnë.
Fraksion.com

