“Nuk dihet se kur mund të duhen”: Diplomat serbe në Kosovë midis dy sistemeve
Rritja e interesimit për verifikimin e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës po paralajmërojnë gjithnjë e më zëshëm integrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor serb, ndërsa përfaqësuesit politikë të serbëve dërgojnë mesazhe kundërthënëse nëse ky proces është i domosdoshëm ose jo.
Deputeti në Kuvendin e Kosovës nga Lista Serbe, Igor Simiq, nuk “sheh nevojë, as kuptim” që të punësuarit në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë, të cilat funksionojnë në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të paraqesin kërkesë për verifikimin e diplomave, pasi ata kanë status të rregulluar pune brenda sistemit të Serbisë.
Përndryshe, verifikimi i diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon brenda sistemit të Serbisë, është i domosdoshëm për të aplikuar për punë, për të marrë licenca profesionale ose për të dhënë provime profesionale në institucionet publike të Kosovës.
Ai shtoi se as vetë nuk e ka verifikuar diplomën e tij.
Sektori i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe në Kosovë vazhdon të funksionojë brenda sistemit të Serbisë, ndërsa institucionet e tjera që financohen nga Beogradi, janë mbyllur kryesisht gjatë dy vjetëve të fundit nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se kanë qenë ilegale dhe paralele.
Gjatë vitit të fundit, zyrtarë të lartë të Kosovës kanë theksuar gjithashtu se “sistemi dual” i shëndetësisë dhe arsimit nuk është i qëndrueshëm dhe se do të nevojitet integrimi në një sistem të vetëm.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se verifikimi i diplomave është i nevojshëm, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre para institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, bëhet fjalë për çështje teknike dhe jo politike.
“Nëse analizohen ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, do të shihni se nuk ka hapësirë për punësim me diploma të institucioneve arsimore serbe. Për shembull, një zyrtar nuk guxon të pranojë një diplomë të Universitetit të Mitrovicës së Veriut ku shkruan Republika e Serbisë”, shpjegon Rashiq.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për të zgjatur mandatin e Komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut.
Kjo praktikë, në përgjithësi, vazhdon që nga viti 2015, kur është miratuar Rregullorja për procedurat dhe kriteret për lëshimin e vërtetimeve për qytetarët e Kosovës, që kanë marrë diploma në universitetin që funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë.
Verifikimi i diplomave “për çdo rast”
Marija, nga komuna e Graçanicës, e ka verifikuar diplomën e saj nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut në vitin 2019, edhe pse më pas nuk i është dashur për punën në arsim.
“Kam menduar se duhet ta shfrytëzoj mundësinë… Ja që tani kemi ardhur në një situatë, ku, megjithatë, duhet ta përfundojmë këtë procedurë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Marija shton se njerëzit nga rrethi i saj po bëjnë “masivisht” kërkesa për verifikimin e diplomave këto ditë, “sepse janë të vetëdijshëm se në të ardhmen e afërt, do të kenë nevojë për atë dokument nëse duan ta realizojnë të drejtën e tyre për punë në Kosovë”.
Vesna, nga veriu i Kosovës, e cila kërkon dhe shpreson të punësohet në sektorin e shëndetësisë, nuk e ka verifikuar ende diplomën e saj, por planifikon ta bëjë këtë, sepse “kurrë nuk dihet kur mund t’i duhet”.
“Tani po përmendet gjithnjë e më shpesh integrimi [i shëndetësisë dhe arsimit], prandaj vendosa ta verifikoj diplomën, për çdo rast”, thotë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 14 mars se do të vazhdojë të punojë për integrimin e arsimit dhe të shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës.
Po atë ditë u publikua edhe vendimi lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë, sipas të cilit, Prishtina zyrtare pranoi të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por janë të punësuar në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit.
Megjithatë, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se vendimi për këto lehtësime është “rezultat i punës së madhe dhe diplomacisë” dhe shtoi se të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore do të vazhdojnë të funksionojnë si deri më tani, në sistemin e Serbisë.
“[Integrimi] duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, në koordinim të ngushtë me serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun [Peter Sorensen]”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.
Rashiq: Mbi 1.000 persona në pritje për verifikimin e diplomave
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Arsimit të Kosovës me pyetjet nëse ka të dhëna se sa persona, që nga viti 2015, e kanë shfrytëzuar të drejtën për të verifikuar diplomën serbe, si dhe nëse afati do të vazhdojë të zgjatet, por nuk mori përgjigje.
Ministri Rashiq thekson se qindra persona i kanë verifikuar me sukses diplomat e tyre deri në dhjetor të vitit të kaluar, por se interesimi për këtë proces është rritur ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2026.
Ai shton se disa përfaqësues politikë nga Lista Serbe duhet të ndalojnë “t’i çojnë njerëzit në përfundime të gabuara”, se qytetarëve nuk u nevojiten dokumente të caktuara të institucioneve të Kosovës, sepse, sipas tij, praktika gjithmonë tregon të kundërtën.
Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 për të kundërshtuar zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Kosovës, ndërsa më pas ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve dhe të regjistrimit të popullsisë.
Çështja e diplomave brenda dialogut dhe marrëveshjeve
Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për njohjen e diplomave universitare në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Më pas, në vitin 2016, janë dakorduar edhe konkluzat për njohjen e ndërsjellë të diplomave, bazuar në marrëveshjen fillestare të vitit 2011.
Kjo çështje përmendet edhe në Marrëveshjen e fundit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën dy vendet e kanë pranuar në vitin 2023.
Kosova dhe Serbia janë angazhuar për njohje të ndërsjellë të diplomave edhe me Marrëveshjen e Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020.
Megjithatë, Serbia vazhdon të mos i njohë diplomat nga Universiteti i Prishtinës, të cilat kryesisht i kanë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar që jetojnë në Luginën e Preshevës./REL
Fraksion.com

