Konstituohet Kuvendi i Kosovës pas tetë muajsh, zgjidhet nënkryetari serb
Kuvendi i Kosovës është konstituuar zyrtarisht sot, pas zgjedhjes së Nenad Rashiçit si nënkryetar nga komuniteti serb.
Për Rashiçin, kanë votuar pro deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u zgjodh me 71 vota pro.
Seanca e sotme e jashtëzakonshme shënon përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, proces që ka zgjatur plot 8 muaj.
Seanca ka nisur në orën 10:00, me një pikë të vetme në rend dite – zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, raporton gazetarja Blerta Dalloshi Berisha për Klan News.
Me votimin e Rashiçit, Kuvendi tashmë ka në përbërje të tij të gjithë nënkryetarët sipas përcaktimeve kushtetuese: tre nga komuniteti shqiptar, një nga pakicat jo-serbe dhe një nga komuniteti serb.
Përfaqësimi i komunitetit serb ishte kusht për përfundimin e këtij procesi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 5 shtatorit, që e kishte cilësuar të paplotë konstituimin pa këtë element. Vendimi obligonte Kuvendin që brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit më 30 shtator, të përmbushte këtë detyrim kushtetues.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se kandidatura e Nenad Rashiçit nuk bie ndesh me Kushtetutën, duke theksuar rëndësinë e kësaj zgjedhjeje për të çuar përpara proceset institucionale në vend.
Konstituimi i plotë i Kuvendit vjen pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional. Janë bërë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, dhe vonesat në konstituim kanë ndikuar negativisht në funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.
Me përmbylljen e këtij hapi, hapet rruga për formimin e qeverisë së re dhe për rifillimin e punës legjislative, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik në vend.
Fraksion.com

