Rama: Reforma në Drejtësi u ideua që të mos ketë të paprekshëm
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Reforma në Drejtësi është bërë që në Shqipëri të mos ketë të paprekshëm.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi raportin e Transparency International për nivelin e korrupsionit në vend.
“Transparency International nuk flet për qeverisje të korruptuar që të jemi të qartë, sepse natyrisht detyra numër 1 e çdokujt që ka një mikrofon dhe një penë është të mos shtrembërojë burimin e informacionit mbi të cilin ngre pastaj argumente. Transparency International flet për korrupsionin i cili nuk është një fenomen pjesor por është një fenomen i përgjithshëm dhe nuk thotë qeveria, thotë: ‘në të gjithë sektorët e jetës, të gjitha pushtetet’. Flet për pushtetin ekzekutiv, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin e katërt që është medie, që është një tjetër vatër korrupsioni i rëndësishëm”, tha Rama.
Duke u ndalur këtu, Kryeministri shtoi se “korrupsioni në medie është i një niveli kriminal se është i bazuar te shantazhimi, gjobëvënia e bizneseve, gjobëvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare të padeklaruara”.
“Kuptohet se janë kriminale, por nuk është e gjithë medie kështu se ka medie që bëjnë detyrën e tyre. Mua nuk më shkon mendja të them se media juaj është e korruptuar apo ka lidhje me korrupsionin. Por brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale, pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha. Folëm për shfrytëzim të punës dhe punonjësve, ka edhe shfrytëzim të gazetarëve në Shqipëri”, tha Rama.
Duke marrë shkas nga pyetja e gazetares, Rama sqaroi se fakti se tashmë ka ministra në burg tregon se Reforma në Drejtësi po funksionon.
“Çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, 3 ministra në burg, një zv.kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht. Është pozitive apo negative në luftën kundër korrupsionit? Çfarë keni pritur ju nga Reforma në Drejtësi se unë që e kam ideuar e udhëhequr bashkë me PS-në prej 8 vitesh e kusur këtë kam kërkuar. Ju çfarë keni pritur nga Reforma në Drejtësi, të konfirmojë se të gjithë janë engjëj, apo që të gjithë janë djaj?”, tha Rama.
“Prandaj e kemi bërë Reformën në Drejtësi që të mos ketë të paprekshëm. Drejtësia të funksionojë e barabartë për të gjithë dhe të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur qysh se ka pasur shtet shqiptar, që njerëzit e lidhur me pushtetin aktual të shkojnë në burg. Unë për këtë e kam bërë Reformën në Drejtësi. Nëse ju e keni mbështetur për një gjë tjetër, nuk e di. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë dhe është dashur të vijë kjo qeveri dhe kjo maxhorancë sot që të luftohet korrupsioni nga drejtësia pa i hyrë kurrë në mes pushteti politik dhe ekzekutiv drejtësisë. Më tregoni një rast në historinë e Shqipërisë që një ministër ka shkuar në burg duke qenë ministër i pushtetit aktual. Janë të gjithë të prekshëm. Kjo është diçka pozitive”, shtoi ai.
Fraksion.com

