Rheinmetall dorëzon automjetet e para të sulmit ajror “Caracal” për ushtritë gjermane dhe holandeze
Rheinmetall u ka dorëzuar forcave të armatosura gjermane dhe holandeze automjetet taktike “Caracal” – të parat nga prodhimi serik – duke shënuar kështu fillimin e dërgesave në kuadër të një porosie të përbashkët për më shumë se 1.500 automjete.
Dorëzimi u krye më 29 tetor në objektin prodhues të kompanisë në Holandë, ku përfaqësuesit e saj ua prezantuan automjetet Zyrës Federale për Pajisjet, Teknologjinë e Informacionit dhe Mbështetjen Operacionale të Bundeswehr-it (ushtrisë gjermane), si dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës.
Amsterdami kishte marrë tashmë një automjet të parë më 29 shtator për trajnimin e shoferëve, ndërsa ky dorëzim i fundit shënon fillimin e dërgesave të automjeteve që përputhen me standardet përfundimtare të prodhimit.
I ndërtuar mbi shasinë ushtarake të Mercedes-Benz G-Class 464, “Caracal” është krijuar për t’u ofruar forcave ajrore (të dislokueshme nga ajri) dhe atyre të specializuara një platformë tejet të lëvizshme, e cila mund të konfigurohet për misione të ndryshme.
Kontrata përfshin më shumë se 1.500 automjete për Gjermaninë dhe Holandën deri në vitin 2030, si dhe mbështetje teknike gjatë gjithë ciklit të jetëgjatësisë (20 vjet).
Dizajni modular mundëson role të shumta luftarake
“Caracal” mund të transportojë deri në katër ushtarë, së bashku me pajisjet e tyre personale dhe ato të misionit; ai është projektuar për t’u transportuar brenda avionëve ushtarakë ose i varur nën helikopterë të rëndë transportues.
Dizajni i tij modular lejon pajisjen e automjetit me paketa të ndryshme pajisjesh për të përmbushur kërkesa të ndryshme operacionale; aktualisht, Rheinmetall ofron 28 konfigurime të ndryshme.
Automjeti mund të pajiset gjithashtu me një sërë armatimesh, duke përfshirë mitralozë MG5, mitralozë të rëndë, hedhës automatikë granatash dhe armë kundër-tank.
Në varësi të kërkesave të misionit, mund të shtohet mbrojtje shtesë kundër minave dhe kërcënimeve balistike.
“Caracal-i, me lëvizshmërinë e tij të lartë dhe dizajnin modular, është një nga automjetet më të gjithanshme në portofolin tonë,” u shpreh Björn Bernhard, drejtor menaxhues i Rheinmetall Landsysteme. Kolegët e Rheinmetall nga Gjermania dhe Holanda po punojnë ngushtë me partnerë të tjerë të industrisë për ta bërë këtë projekt realitet.
Fraksion.com

