Vendimi i Apelit për vulën e PD-së, Bylykbashi: Ditë e zezë për Drejtësinë
Pas seancës maratonë në Gjykatën e Apelit në përfundim të së cilës çështja e vulës dhe logos së Partisë Demokratike kthehet për rigjykim në Shkallën e Parë, përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashi e cilësoi ditë të zezë për Drejtësinë.
Duke folur për mediet, Bylykbashi u shpreh se “nuk ka asnjë lloj ekuivoku. Ky vendim i sotëm i marrë haptazi nën presionin e Edi Ramës, i paralajmëruar që disa ditë më përpara nga ministrja e Edi Ramës, me një presion që ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe, e ishte edhe sot në sallë, presioni mbi gjykatën, është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet”.
“Nuk ka asnjë kuptim tjetër. Është një vendim që haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot, ka vendosur jo vetëm legjislatori, por edhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një pale që nuk përbën as minorancë në PD, por i ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një qëllimi; përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë një opozitë të vërtetë”, vijoi ai.
“PD-ja ka qenë fare e qartë, ka ngritur një proces i cili në mënyrë të jashtëzakonshme prej më shumë se 1 viti ka treguar qartë vullnetin e opozitës për të mos qenë palë me Edi Ramën. Sot gjykata zhbëri me këtë vendim nën presion, 11 dhjetorin, atë kuvend të jashtëzakonshëm të PD-së, të gjithë përpjekjen më shumë se 1-vjeçare që anëtarët me votë në mënyrë të përsëritur kanë demonstruar se kush është vullneti i demokratëve dhe opozitës dhe me këtë vendim sot, vendim që shënon një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare ka vendosur një precedent, 32 vite pas themelimit të pluralizmit me vendim gjykate, u vra pluralizmi”, tha Bylykbashi.
I pyetur se si do të regjistrohet në zgjedhje grupimi i ish-kryeministrit Berisha, Bylykbashi tha se çdo hap tjetër do të merret nga instancat.
“Do merret nga organet kolegjiale të zgjedhura të PD, jo ato që ka emëruar kryeministri, apo që i interesojnë kujtdo tjetër, që nuk përfaqësojnë PD, por përfaqësojnë një logo që e ka përzgjedhur Edi Rama. Do të marrin vendim organet e PD-së dhe sigurisht populli opozitar ishte sot në shesh dhe ajo që ne kemi anonçuar në lidhje me përpjekjen tonë për të çuar demokracinë përpara. Vendimet e PD-së do t’i marrin organet e saj. Ajo që duam të theksojmë ne sot, kjo ishte një ditë e zezë për pluralizmin dhe demokracinë shqiptare. Gjykata sot provoi se ka rënë përfundimisht dhe totalisht nën thundrën e Edi Ramës”, tha Bylykbashi.
Fraksion.com

