Lufta Veliaj-Rama, Topi: Përplasja, e dukshme! Kryeministri të faktojë nëse kryebashkiaku ka mbështetur e financuar protestat nga qelia
Ish-Presidenti Bamir Topi deklaroi se përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas transferimit në paraburgimin e Fierit të këtij të fundit, tashmë është e dukshme.
Komentet Topi i bëri në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se beteja mes tyre, nuk ka pse të ndikojë në njerëz të tjerë.
“Unë di një gjë, që përplasja Rama-Veliaj është e dukshme. Është një përplasje që nuk ka më kamuflim. Sepse zoti Veliaj u shpreh. Tani duhet të shprehet tjetri. Tjetri u shpreh në mënyrën e tij përmes një metafore pa sens e kuptim. Por është një betejë midis të dyve, jashtë çdokujt. Mund të jenë merakosur për këtë punë gjithë kampi socialist, por të tjerët s’kanë pse të kenë ndonjë merak”, tha mes të tjerash Topi.
Marrë shkas nga pretendimet e kryebashkiakut, Topi theksoi se Veliaj duhet të ketë një trajtim dinjitoz në qelitë e paraburgimit.
Ai shtoi gjithashtu se Veliaj është ende kryebashkiak në detyrë i Tiranës dhe prezumohet i pafajshëm. Prandaj sipas Topit, kryeministri Rama s’duhet të ndikojë në liritë themelore të Veliajt në qeli.
Topi tha se Rama e di fare mirë sesa akses ka Veliaj në qeli, pasi sipas tij, është vetë kryeministri që ja ka dhënë atë akses.
“Edi Rama duhet ta provojë që Veliaj ka mbështetur protestat e Flamingove. Ai e di fare mirë se çfarë aksesi ka Veliaj në burg. Sepse aksesi shkon sipas asaj që di ky tjetri. Nëse ti i ke dhënë kaq akses sa ai të jetë ideator dhe organizator, atëherë problemi është sërish te ty. Në rast se ke fakte, duhet t’i thuash faktet. Dua të ndaj 2 gjëra, një është proces juridik, ku Veliaj është atje ku është, tjetri është një proces politik. Kush më shumë se Rama e di nëse Veliaj ka qenë ose jo”, nënvizoi Topi.
Në përfundim Topi tha se Ramën e ka bezdisur fakti që Veliaj ishte perceptuar në publik si lider pasardhës i Partisë Socialiste dhe kjo sipas tij ka çuar në ‘hakmarrje’ nga ana e kryeministrit.
Sipas Topit, me situatën ku ndodhet kryebashkiaku Erion Veliaj, PS do të jetë më e dobët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Dhe kjo mënyrë sjellje tregon që kjo lloj historie e ka ngacmuar shumë. Sepse unë nuk shoh që të ketë një figurë tjetër të projektuar për t’u komentuar si i tillë. PS dobësohet para zgjedhjeve lokale, me situatën e kryebashkiakut. Ky është moment i artë për opozitën për të treguar potenciale. Kam parasysh një koalicion ekstrem, që të mos ketë asnjë jashtë tij”, përfundoi Topi.
Fraksion.com

