Ligji për shërbimet e pagesave hyn në fuqi më 1 janar, afati i ankesave bankare zgjatet në 13 muaj
Është botuar në Fletoren Zyrtare ligji “Për shërbimet e pagesave”, i cili parashikon zgjatjen nga 6 në 13 muaj të afatit për paraqitjen e pretendimeve për transaksione të paautorizuara ose të ekzekutuara gabim. Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2027.
Ndryshimet ligjore synojnë modernizimin e tregut financiar shqiptar, forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
Zgjatja e afatit u jep qytetarëve dhe bizneseve më shumë kohë për të identifikuar dhe kundërshtuar transaksionet që nuk janë autorizuar prej tyre ose që janë ekzekutuar në mënyrë të pasaktë.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu forcimin e transparencës për tarifat dhe kushtet e shërbimeve të pagesave, si dhe krijimin e bazës ligjore për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë. Këto masa synojnë të nxisin konkurrencën në treg dhe të kontribuojnë në uljen e kostove të shërbimeve financiare për përdoruesit.
Një tjetër risi lidhet me njohjen e ndërsjellë të licencave, mekanizëm i njohur si “passporting”. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky mekanizëm do t’u mundësojë institucioneve shqiptare të licensuara të ofrojnë shërbime pagesash në vendet anëtare, ndërsa institucionet e licensuara në BE do të mund të operojnë në Shqipëri, në përputhje me rregullat dhe standardet përkatëse të mbikëqyrjes.
Ligji përditëson gjithashtu kuadrin rregullator për institucionet e parasë elektronike, duke përcaktuar kërkesa më të qarta për licensimin, kapitalin, mbrojtjen e fondeve të klientëve dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre. Në këtë mënyrë synohet krijimi i kushteve për zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve të reja financiare, si dhe zgjerimin e alternativave të pagesave elektronike.
Në fokus të ndryshimeve është edhe siguria e sistemit financiar, përmes forcimit të kërkesave për administrimin e rreziqeve teknologjike dhe kibernetike, garantimin e vazhdimësisë së veprimtarisë dhe raportimin e incidenteve madhore dhe rasteve të mashtrimit. Gjithashtu, parashikohen masa për përmirësimin e informimit të konsumatorëve dhe garantimin e aksesit në informacion mbi shërbimet e pagesave.
Ndryshimet ligjore janë pjesë e reformave për modernizimin e sistemit financiar dhe lidhen edhe me objektivin e qeverisë për reduktimin e përdorimit të parasë fizike (cash) dhe zgjerimin e pagesave elektronike. Së bashku me ligjin “Për sistemin e pagesave”, të miratuar më herët, ky kuadër synon të krijojë një treg më konkurrues, më transparent dhe të harmonizuar me legjislacionin europian.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një reagim pas miratimit në Kuvend të Ligjit, e cilësoi miratimin e ndryshimeve si një tjetër hap konkret drejt krijimit të një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më pranë standardeve të Bashkimit Europian.
Ligji u miratua nga Kuvendi më 22 tetor 2026, me 76 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Më 31 tetor 2026, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi shpalljen e tij.
Fraksion.com

