Mbi 4 miliardë euro në projektbuxhet: Kush merr sa?
Mbi 1.4 miliard euro për subvencione dhe transfere, më shumë se një miliard për paga dhe po aq për investime kapitale.
Këto janë ndarjet kryesore të projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027, i cili parashihet të arrijë në 4.27 miliardë euro.
Projektbuxheti, i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 2 nëntor dhe i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026, apo 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar.
Ai tashmë i është dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Ku do të shkojë pjesa më e madhe e parave?
Pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 1.45 miliard euro, është planifikuar për subvencione dhe transfere – kategori që përfshin pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale dhe forma të tjera të mbështetjes financiare.
Nga 1 janari 2027, ato pritet të rriten për 25 për qind, ndërsa Qeveria synon rritje të tjera vjetore deri në dyfishimin e tyre në vitin 2030.
Sipas shembullit të dhënë nga Kurti, një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, pritet të marrë 75 euro nga janari.
Çfarë tjetër parasheh projektbuxheti?
Përveç pagave, mbështetjes sociale dhe investimeve infrastrukturore, Qeveria ka paralajmëruar financimin edhe të disa nismave të tjera.
Një prej tyre është themelimi i kompanisë së parë ajrore të Kosovës.
Projektbuxheti parasheh gjithashtu rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë, më 16 shtator.
Çfarë pritet nga ekonomia dhe çmimet?
Projektbuxheti mbështetet në parashikimin se ekonomia e Kosovës do të rritet për 4.2 për qind gjatë vitit 2027.
Sipas projeksioneve qeveritare, vlera e përgjithshme e ekonomisë pritet të arrijë në rreth 14 miliardë euro, krahasuar me rreth 13 miliardë sa vlerësohet për vitin 2026.
Konsumi privat, investimet dhe eksportet e shërbimeve pritet të jenë ndër faktorët kryesorë të rritjes.
Por, çmimet mbeten një nga shqetësimet kryesore për qytetarët.
Në shtator të këtij viti, inflacioni vjetor arriti në 7.8 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Qeveria parashikon që inflacioni të ngadalësohet në 4 për qind gjatë vitit 2027. Kjo nuk do të thotë se çmimet do të ulen, por se pritet të rriten me ritëm më të ngadalshëm.
Në projektbuxhet, megjithatë, paralajmërohet se këto pritje mund të ndikohen nga shtrenjtimi i produkteve në tregjet ndërkombëtare, ngadalësimi ekonomik i vendeve partnere dhe zhvillimet në sektorin energjetik.
Kur pritet të miratohet buxheti?
Qeveria e Kosovës e miratoi projektbuxhetin më 2 nëntor, pas afatit të 31 tetorit të përcaktuar për dorëzimin e tij në Kuvend.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e kritikoi Qeverinë për mosrespektimin e këtij afati.
Ministri Murati, ndërkaq, tha se afati ishte respektuar, pasi 31 tetori kishte qenë ditë e shtunë.
Projektligji tani duhet të shqyrtohet dhe të votohet nga Kuvendi në dy lexime, deri në fund të vitit.
Gjatë këtij procesi, deputetët mund të propozojnë ndryshime në ndarjet buxhetore./REL
Fraksion.com

