Shqipëri: Gjuha e ashpër e përbashkëta e rivalëve politikë
Protesta studentore në Shqipëri vazhdon. Ndërkohë që shoqëria pret zgjidhje të problemeve dhe debat konstruktiv nga ligjvënësit, seanca plenare u karakterizua sërish nga fyerje e kësaj here edhe me flakadanë tymues.
Me fotografitë e studentëve të plagosur gjatë protestës që vijon prej 13 tetorit, deputetët e opozitës rrethuan foltoren e Parlamentit këtë të enjte (29.10.2026). Tymi blu i flakadanëve mbuloi sallën e Kuvendit.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve” – u shpreh kreu i opozitës Sali Berisha. “Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka, këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës” – shtoi ai.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i hoqi Berishës të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të seancës.”Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme” – tha Peleshi.
Spektakël në Kuvend, ligjet në hije
Skena të tilla janë bërë të zakonshme në seancat parlamentare. Mes akuzave, përplasjeve dhe ndërprerjeve të seancës, projektligje me rëndësi kalojnë shpesh në plan të dytë.
Këtë të enjte, Kuvendi miratoi edhe ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon mbrojtje të posaçme për guvernatorin Gent Sejko ndaj masave të arrestit dhe kontrolleve të prokurorisë. Asnjë debat i mirëfilltë nuk u bë për projektligjin. Votimi vijoi.
Për miratimin e tij nevojiteshin 84 vota, çka solli në sallën e Kuvendit edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK.
Një shoqëri e mësuar me agresivitetin
Në ditën e 17-të të protestës studentore, tensionet në rrugët e kryeqytetit janë zbutur. Në sallën e Kuvendit, jo.
Për sociologen Entela Binjaku, dhuna verbale dhe fizike në politikën shqiptare nuk është një fenomen i ri. Prej tri dekadash, sipas saj, fyerjet, kërcënimet dhe akuzat kanë mbizotëruar në Kuvend, komisionet parlamentare dhe debatet publike.
“Mjafton të sjellësh në kujtesë të enjtet parlamentare, ku më së shumti popullata përgatitet të shohë një cirk të vërtetë ose një arenë të vërtetë përplasjesh verbale” – shprehet Binjaku për Deutsche Welle.
Sipas sociologes, përsëritja e kësaj gjuhe ka bërë që shoqëria jo vetëm të mësohet me agresivitetin në diskursin publik, por edhe ta përvetësojë atë si mënyrë komunikimi. “Problemi lind veçanërisht kur ky normalitet bëhet, në një farë mënyre, si një lëkurë e dytë për shoqërinë, e cila nuk reagon më, nuk ndjen më kurrfarë bezdie” – thotë ajo.
Retorika e ashpër, synime të ndryshme
Në daljet e fundit publike, kryeministri Edi Rama ka bërë paralajmërime dhe kërcënime ndaj studentëve protestues, por edhe ndaj prindërve, mësuesve e pedagogëve. “Ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë e shtetit, nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, deklaroi ai më 19 tetor. Ndërkohë, kreu i opozitës Sali Berisha i është drejtuar Ramës me etiketime si “krijues i narkoshtetit” dhe “Edvin xhelati”, duke bërë gjithashtu thirrje për mosbindje civile. 
Për studiuesin e komunikimit Elvin Luku, gjuha e ashpër e dy drejtuesve politikë u shërben synimeve të ndryshme. “Mënyra pse zgjidhet pikërisht në këtë moment është që të intimidojë të gjithë aktorët politikë që mund të bëjnë diçka në këtë situatë” – shprehet Luku për Deutsche Welle, duke iu referuar retorikës së kryeministrit. “Nga ana tjetër, lideri i opozitës bën një lloj radikalizimi të gjuhës së komunikimit për të mobilizuar dhe për të mbështetur protestën dhe studentët” – shton ai.
Sipas Lukut, të rinjtë e shohin klasën politike si të vjetruar dhe të shkëputur nga kërkesat e tyre. Kjo shpjegon edhe refuzimin e përfshirjes së politikanëve në protestë.”Kur flasim për rrëzimin e kësaj klase politike, nënkuptojmë edhe mentalitetin e saj, mënyrën e të bërit politikë dhe gjuhën e komunikimit që e ka karakterizuar përgjatë këtyre 35 viteve” – shprehet Luku.
Sipas ekspertit, kjo është pikërisht koha kur politika duhet të reflektojë. Por ndërsa tensionet vazhdojnë, kryeministri dhe kreu i opozitës mbeten në llogoret e tyre./DW
Fraksion.com

