Protestat e Brezit Z në Halloween: a priten skena si ato në Francë?
Kur politikanët gjermanë hedhin vështrimin drejt fundjavës që vjen, shumë prej tyre shprehin shqetësimin se Gjermania mund të përballet me protesta të të rinjve, po aq të ashpra sa ato që u panë së fundmi në Francë. Një nismë në internet, e quajtur “Gen-Z regelt” (“Brezi Z merr situatën në dorë”), ka bërë thirrje për demonstrata në 23 qytete.
Termi “Brezi Z” (Gen Z) i referohet përgjithësisht brezit të adoleshentëve dhe të rinjve të lindur midis viteve 1995 dhe 2010. Ata shpesh i qortojnë prindërit e tyre për faktin se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të luftuar ndryshimet klimatike dhe se kanë lejuar që hendeku midis të pasurve dhe të varfërve të vazhdojë të thellohet. Njëkohësisht, ata janë të shqetësuar për perspektivat e tyre arsimore dhe mundësitë e së ardhmes brenda shoqërive perëndimore, ku popullsia po plaket gjithnjë e më shumë.
CDU: “Situata si ato në Francë duhen shmangur me çdo kusht”
Në Francë, trazirat e dhunshme shpërthyen së fundmi në kuadër të protestave që fillimisht ishin paqësore. Në shumë vende u vunë flakën makinave, ndërsa në Limoges, ndërtesa e bashkisë u përfshi nga flakët. Në qytete si Lille, Lyon dhe Toulouse, policia përdori gaz lotsjellës dhe u kryen arrestime të shumta.
Shumë politikanë – veçanërisht nga partia konservatore CDU – kanë paralajmëruar se skenarë të ngjashëm mund të përsëriten gjatë fundjavës që vjen. Alexander Throm (CDU), ekspert për çështjet e brendshme në grupin parlamentar të Unionit (që përfshin CDU-në dhe CSU-në bavareze) në Bundestag, deklaroi për gazetën “Handelsblatt”: “Situata si ato në Francë duhen shmangur me çdo kusht.”
Shqetësime lidhur me ekstremistët e majtë që veprojnë në nivel ndërkombëtar
Sipas vlerësimit të Throm-it, forcat ekstremiste të majta dhe elementë kriminalë me prejardhje nga emigracioni mund t’i “akaparojnë” demonstratat: “Po formohet një aleancë ogurzezë – veçanërisht në Berlin.”

Marc Henrichmann (CDU), kryetar i Komisionit të Bundestagut përgjegjës për mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës, gjithashtu bëri një paralajmërim: “Rrjeti i lëvizjes së ekstremit të majtë është ndërkombëtar dhe i koordinuar.” Ai i tha gazetës “Handelsblatt” se e majta e dhunshme i ka kaluar madje edhe kufijtë kombëtarë për t’u përfshirë në plaçkitje dhe akte dhune në vende të tjera. Sebastian Koos, një sociolog në Universitetin e Konstanzit, i cili studion rininë dhe lëvizjet protestuese në Gjermani, i tha DW-së se nuk beson se trazirat e ngjashme me ato në Francë mund të ndodhin në Gjermani – edhe pse ngjarjet në vendin fqinj kanë nxitur protestat që po paralajmërohen tani në Gjermani.
Koos: “Nuk nxiten nga i njëjti lloj zemërimi si në Francë”
Koos vë në dukje dallime thelbësore midis të rinjve në të dyja vendet: “Kjo nuk është një protestë e nxitur nga zemërimi në të njëjtën masë si në Francë; përkundrazi, ajo është e përgatitur, e regjistruar dhe e organizuar. Për më tepër, faqja e internetit bën thirrje shprehimisht për protesta paqësore – një pikë që theksohet fuqimisht.” Megjithatë, sociologu nuk e përjashton mundësinë që forcat ekstremiste t’i shfrytëzojnë këto protesta të regjistruara për të nxitur trazira. “Është padyshim thelbësore që policia dhe autoritetet të jenë të përgatitura mirë për këtë.”
Quentin Gärtner, 19 vjeç, është student i bioteknologjisë në Heidelberg. Deri në nëntor të vitit të kaluar, ai shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Konferencës Federale të Studentëve, e cila përfaqëson rreth 7.5 milionë studentë në Gjermani. “Ajo që na bashkon të gjithëve është se durimi ynë me sistemin arsimor po mbaron. Shumë njerëz janë jashtëzakonisht të frustruar,” thotë ai në një intervistë për DW-në. “Performanca akademike e studentëve gjermanë vazhdon të bjerë, stafi mësimor shkurtohet vazhdimisht dhe, në shumë raste, ndërtesat shkollore nuk kanë parë asnjë përmirësim prej vitesh.”
Mirëkuptim nga të Gjelbrit lidhur me protestat
Sipas Gärtner-it, kjo lidhet me një problem më të gjerë brenda demokracisë parlamentare në Gjermani dhe në shumë vende të tjera perëndimore: “Politikanët duan të fitojnë zgjedhjet. Ata përqendrohen te grupet që i konsiderojnë të rëndësishme, në vend që të përqendrohen te e ardhmja apo te qëndrueshmëria afatgjatë e politikave të tyre. Në shoqërinë tonë që po plaket, njerëzit më të moshuar dhe brezi i ‘baby boomer’-ave janë grupet që kanë më shumë rëndësi.”
Partitë opozitare në Gjermani gjithashtu i njohin shqetësimet e brezit të ri. Felix Banaszak, një drejtues i Partisë së të Gjelbërve, deklaroi në transmetuesin ZDF: “Kontrata midis brezave nuk funksionon më. Brezat më të vjetër e kanë çuar klimën drejt katastrofës.” Për më tepër, sistemet e mirëqenies sociale po arrijnë kufijtë e tyre, ndërsa qiratë janë bërë të papërballueshme. Sipas Banaszak-ut, i vetmi komunikim që shteti u drejton të rinjve janë letrat që u dërgohen 18-vjeçarëve lidhur me kërkesat e reja për shërbimin ushtarak.
Deri të martën, rreth 134.000 persona ishin regjistruar në faqen e internetit “Gen-Z regelt” për të marrë pjesë në protestat e planifikuara për të shtunën e ardhshme. Duke qenë se kanë mbetur ende disa ditë, ky numër mund të vazhdojë të rritet./DW
Fraksion.com

