Zgjedhjet në Serbi sfidojnë pushtetin 14-vjeçar të Vuçiqit
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është regjistruar pjesëmarrje e lartë në votime, teksa ka raportime për parregullsi dhe për incidente.
Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë njoftoi se deri në 16:00 votuan 56.38 për qind të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet paraprake parlamentare dalja deri në orën 16:00 është 14 për qind më e lartë.
Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.
Vendvotimet janë hapura nga ora 07:00 dhe qytetarët e Serbisë mund të votojnë deri në orën 20:00. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.
Mbi 6.4 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin mes 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Parlamentit. Megjithatë, gara pritet të zhvillohet kryesisht mes partisë së Vuçiqit dhe Listës Studentore.
Në qendër të saj janë vazhdimi i politikave të Vuçiqit, përfshirë lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën, dhe zotimi i studentëve për ta luftuar korrupsionin.
Raportime për incidente e parregullsi zgjedhore
Gjatë procesit zgjedhor janë regjistruar disa incidente nëpër Serbi.
Avokati i Popullit i Serbisë tha se ka pranuar një numër të madh të ankesave nga qytetarët, kryesisht të lidhura me konflikte dhe incidente afër qendrave të vendvotimeve, përfshirë pretendime të sulmeve ndaj më të moshuarve.
Ai dënoi “çdo formë të dhunës ndaj të moshuarve, si dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjeve të politikanëve gjatë zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht nga cila parti janë”.
Komisionari për Mbrojtje dhe Barazi, Millan Antonijeviq, raportoi në X për Euronews se nëna e Aleksandar Vuçiqit u sulmua në një vendvotim. Ai shkroi se ky incident paraqet “një vijë të kuqe që kurrë nuk duhet të kalohet”.
Policia serbe po ashtu ka ndërhyrë në një lagje të Novi Sadit ku u mblodhën qytetarë. Disa persona thanë se kanë parë njerëz me para dhe zarfe. Ndërkaq, organizata joqeveritare Crta tha se gjashtë burra dhe një grua penguan një vëzhguese para një qendre votimi, duke e ofenduar.
Ndërkaq, në Pançevo, një grup i personave të maskuar kanë sulmuar disa të rinj para një qendre votimi, kanë raportuar mediat lokale.
Sipas një videoje të publikuar nga Pancevo.city, personat e maskuar me shufra hekuri sulmojnë të rinjtë dhe njëri prej të rinjve shihet i gjakosur në fytyrë.
“Medalja tjetër e ditës së zgjedhjeve është përshkruar me parregullsi që ne kemi regjistruar dhe të cilat ende po analizohen dhe të cilat mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhor”, Rasha Nedelkov nga Crta.
Kjo organizatë ka vëzhgues në 500 qendra votimi në Serbi.
“Kemi regjistruar presion ndaj votuesve në tri qendra votimi, 18 për qind janë parregullsi procedurale, parregullsi të lidhura me integritetin e votimeve janë regjistruar në 17 për qind të vendvotimeve. Në mesin e tyre, më të theksuara janë: fotografimi i fletëvotimit, dështimi për të përdorur llambat ultravjollcë dhe votimi pa dokumente të vlefshme”, tha ai.
Nedelkov tha se disa incidente janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Beogradit, Vranjës Lazarevcit dhe Novi Sadit, përfshirë dy raste të presionit ndaj vëzhguesve të organizatës.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.
Këto zgjedhje po mbahen në sfond të një fushate zgjedhore që është shoqëruar me shqetësime në rritje për manipulime të mundshme në votimet e së dielës. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se rreth 500.000 persona janë regjistruar për të votuar pa adresë të plotë.
REL-i ka gjetur gjithashtu se qindra votues janë regjistruar në objekte publike, përfshirë qendra të punës sociale, si dhe në shtëpi ku nuk mund të banonin aq shumë persona. Autoritetet i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Hulumtimet kanë nxjerrë në pah edhe rritjen, para votimit, të numrit të personave me të drejtë vote në zgjedhjet serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Serbët etnikë në të dyja vendet konsiderohen burim i rëndësishëm mbështetjeje për partinë e Vuçiqit.
Disa ditë para zgjedhjeve të 25 tetorit, katër burime i thanë Radios Evropa e Lirë se punonjësve të institucioneve të financuara nga Serbia në Kosovë u bëhej presion të votonin për Partinë Përparimtare Serbe (SNS). Ato përshkruan urdhra nga drejtorët, kërkesa për sigurimin e votuesve të tjerë dhe frikën nga humbja e punës në rast refuzimi.
Banorët serbë të veriut të Kosovës, me të cilët bisedoi ekipi i Radios Evropa e Lirë, nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë që po mbahen të dielën, më 25 tetor, thanë se presin një të ardhme më të mirë, paqe dhe stabilitet.
Vuiçiq përballë Listës Studentore
Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.
Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.
“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.
Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.
Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë.
Më 1 nëntor 2024, shembja e strehës së rindërtuar të stacionit hekurudhor të qytetit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Dyshimet për korrupsion në punimet e njërit prej projekteve kryesore të Qeverisë, të udhëhequr nga kompani kineze, nxorën protestuesit në rrugë në mbarë vendin.
Qeveria i mohoi akuzat, ndërsa protestuesit u përballën me dhunë policore dhe arrestime. Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 15 mars 2025, kur autoritetet dyshohet se përdorën në mënyrë të paligjshme një armë zanore kundër demonstruesve paqësorë.
Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se Moska mund të luajë rol aktiv në zgjedhje, ndërsa Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për operacionet e ndikimit rus në Serbi.
“Rusia po vë në dispozicion burimet, taktikat dhe metodat e saj më të mira për të monitoruar, shtypur dhe penguar qytetarët e Serbisë, si dhe lëvizjen e fuqishme studentore që dëshiron të rivendosë sundimin e ligjit në vend”, tha për REL-in kongresisti republikan Joe Wilson.
Përveç lidhjeve të ngushta me Rusinë, furnizuesen kryesore të Serbisë me gaz, Vuçiqi është përpjekur t’i forcojë marrëdhëniet me Kinën, një investitore e madhe në vend, duke ruajtur njëkohësisht synimin e kahershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka synuar gjithashtu t’i përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Gjatë fushatës, ai u zotua se do ta vazhdojë këtë kurs të politikës së jashtme, përfshirë refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të BE-së.
Lëvizja studentore, ndërkaq, e ka lënë politikën e jashtme në plan të dytë. Megjithatë, ajo ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe ka përsëritur mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Kjo tregon se edhe studentët nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë kurthit të politikës nacionaliste të Serbisë, e cila ndërtohet mbi mitin e Kosovës”, tha për REL-in profesori nga Beogradi, Zharko Koraq.
Sipas Marko Savkoviqit, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nuk filloi me Vuçiqin dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të. Ai vlerëson se hapësira politike për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës mbetet shumë e kufizuar.
“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, thotë Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë./REL
Fraksion.com

