Nis mbyllja e qendrave të votimit në Serbi, policia ruan institucionet në Beograd
Në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare ku garuan 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Kuvendit.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë dhe para qendrave të votimit u panë radhë të gjata.
Gjatë ditës u raportuan për parregullsi zgjedhore dhe incidente të tjera, teksa policia bllokoi qendrën e Beogradit.
Në zgjedhje garoi ish-presidenti Aleksandar Vuçiq me partinë e tij Lista Përparimtare Serbe. Rivalja kryesore e listës së Vuçiqit vlerësohet të jetë Lista Studentore.
Partitë shqiptare u bashkuan në një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”.
Pas mbylljes së vendvotimeve, Lista Studentore bën thirrje për mbrojtjen e çdo vote në mënyrë paqësore
Lista Studentore u bëri thirrje qytetarëve në Serbi të qëndrojnë në vendbanimet e tyre dhe të mbështesin vëzhguesit e saj gjatë numërimit të votave dhe dorëzimit të materialit zgjedhor.
Në një postim në rrjetin X, ajo theksoi se procesi zgjedhor nuk përfundon me mbylljen e vendvotimeve, pasi pasojnë numërimi, hartimi i procesverbaleve dhe dorëzimi i materialit te komisionet lokale të zgjedhjeve.
“Pas një dite të tillë dhe një pjesëmarrjeje të tillë, nuk duhet të lejojmë që dikush, në orët e fundit, të rrezikojë atë për të cilën kemi luftuar kaq shumë”, thuhet në postimin e Listës Studentore.
Lista u kërkoi qytetarëve të ndjekin zhvillimet dhe të ndihmojnë që çdo votë të mbrohet në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.
“Sonte na duhet që e gjithë Serbia të jetë aty ku votoi sot”, thuhet në postim.
20:03 – Qendrat e votimit në Serbi mbyllen në orën 20:00
Qendrat e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi pritet të mbyllen në orën 20:00, kur përfundon edhe heshtja zgjedhore.
Në disa qendra votimi, ku pati ndërprerje të procesit të votimit, orari do të zgjatet për aq kohë sa zgjati ndërprerja.
Po ashtu, të gjithë personat që janë duke pritur në radhë para qendrave të votimit kanë të drejtë të votojnë edhe pas orës 20:00.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e dënoi ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policorë, i cili ndodhi në mbrëmje në Llazarevc. Sipas saj, gjatë incidentit u plagosën dy policë.
“Gjatë këtij incidenti, një grup personash sulmoi fizikisht pjesëtarët e policisë, duke përdorur gurë, mjete piroteknike dhe sende të tjera të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pjesëtarët e MPB-së serbe, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, po ndërmarrin të gjitha masat ligjore për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë sulm, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga çdo formë e dhunës dhe agresionit, veçanërisht nga sulmet ndaj zyrtarëve policorë, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të sigurt dhe në përputhje me ligjin.
19:58 – Prani e madhe e policisë në Beograd
Në qendër të Beogradit është parë prani e shtuar policore, teksa qendra e qytetit është bllokuar për qarkullim.

