“Zelensky shmang ‘vendimet e vështira'”, Kremlini: Trump dëshiron një president të ri për Ukrainën
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi se presidenti amerikan Donald Trump kishte sugjeruar që Ukraina të zgjidhte një president të ri, sepse Volodymyr Zelensky nuk ishte i gatshëm të merrte vendimet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Trump tha se, sipas mendimit të tij, është koha për një president të ri,” tha Peskov.
“Pse? Sepse presidenti i Ukrainës duhet të marrë vendime shumë të përgjegjshme dhe shumë të vështira për ta ndalur këtë luftë.”
Peskov e akuzoi Zelenskyn se nuk ka treguar vullnetin politik për t’i ndërmarrë ato hapa.
“Ose Zelensky e merr atë përgjegjësi dhe e tregon atë vullnet politik, ose jo,” tha ai. “Deri më tani, ai nuk e ka bërë këtë.”
Të dielën, presidenti Volodymyr Zelensky e kundërshtoi thirrjen e homologut të tij amerikan, Donald Trump, për zëvendësimin e tij, por tha se vendi i tij mund të mbante zgjedhje nëse Rusia do të binte dakord për një armëpushim 60-ditor.
Tensionet janë ndezur sërish mes dy liderëve pasi Trump njoftoi të premten se do të hiqte sanksionet për një sasi të madhe nafte ruse (dizel) për të ndihmuar në uljen e çmimeve të karburantit para zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit në SHBA.
Të shtunën, Trump kritikoi ashpër Zelenskyn për sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse të naftës, duke argumentuar se ato kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës, dhe bëri thirrje që ai të zëvendësohet nga një lider që do t’i japë fund luftës.
“Para së gjithash, me gjithë respektin për Presidentin Trump, i takon shoqërisë sonë, popullit tonë, të zgjedhë njërin apo tjetrin lider,” tha Zelensky për ABC News në një intervistë televizive të dielën.
Zelensky tha se u kishte thënë ekipit të Trumpit se, nëse ata vërtet donin që Ukraina të mbante zgjedhje – të parat që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022 – “ju lutem i thoni Putinit të na japë dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, 60 ditë, dhe ne do të organizojmë zgjedhje.”
Fraksion.com

