AktualitetPolitikëTë fundit

“Tirana është nderi i jetës sime”, Veliaj ndjek shembullin e Imran Khan: AI nga burgu

Erion Veliaj duket se po përpiqet të ruajë praninë e tij në jetën publike të Tiranës edhe nga qelia, këtë herë përmes një versioni të vetes të krijuar me inteligjencë artificiale.

Kryebashkiaku, i cili ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit për akuzat e korrupsionit, u është drejtuar qytetarëve përmes një videoje virtuale, ku deklaroi se do të vazhdojë të komunikojë me ta për sa kohë që do të jetë i privuar nga liria.

Rasti ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave te huaja  amerikane, te cilat e trajtojnë këtë rast në kontekstin e përdorimit të inteligjencës artificiale në politikë.

Rasti i Veliajt ka sjellë në vëmendje rasti e ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan, i cili në vitin 2023, ndërsa ndodhej në burg, përdori një video të krijuar me inteligjencë artificiale për t’u bërë thirrje qytetarëve të votonin për partinë e tij.

Megjithatë, përtej ngjashmërisë në përdorimin e teknologjisë, dy rastet ngrenë një dilemën se çfarë ndodh kur politikanët përdorin imazhe artificiale për të ruajtur ndikimin e tyre te publiku, edhe kur nuk mund të shfaqen fizikisht?

Nga qelia në ekran
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Veliaj shfaqet përmes një imazhi të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe u drejtohet banorëve të Tiranës,  për punën e bërë në shkolla e çerdhe pas tërmetit, si dhe duke premtuar dreka falas për nxënësit.

Në fund të mesazhit, ai deklaron se do të vazhdojë të punojë edhe nga qelia ku ndodhet i mbyllur. “Pavarësisht se sa shumë duan të më mbajnë larg qytetit dhe larg jush, Tirana është nderi i jetës sime. Për ta shpërblyer këtë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”, shprehet Veliaj në mesazhin e tij.

 

Ai e ka bërë të qartë se videoja është krijuar me inteligjencë artificiale, duke e justifikuar këtë zgjedhje me pamundësinë për t’iu drejtuar qytetarëve personalisht.

Por, ndërsa Veliaj e paraqet videon si një mënyrë për të mbajtur gjallë komunikimin me qytetarët, formati i zgjedhur e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja e mesazhit te mënyra se si ai ndërtohet dhe përcillet.

Një imazh virtual mund të riprodhojë fytyrën, zërin dhe gjestet e një personi, por nuk e zëvendëson praninë fizike dhe as nuk e ndryshon situatën ligjore në të cilën ndodhet ai.

Imran Khan, një precedent nga Pakistani
Përdorimi i inteligjencës artificiale nga Veliaj nuk është rasti i parë kur një politikan i burgosur i drejtohet publikut përmes teknologjisë. Në vitin 2023, ish-kryeministri pakistanez Imran Khan përdori një video të krijuar me inteligjencë artificiale për të mobilizuar mbështetësit e tij përpara zgjedhjeve.

Në atë rast, teknologjia u përdor për të përcjellë një mesazh politik në kushtet kur Khan ndodhej në burg. Rasti tregoi se kufizimet fizike nuk e pengojnë domosdoshmërisht një politikan të vazhdojë të komunikojë me mbështetësit e tij, nëse ka akses te mjetet dixhitale dhe një rrjet që shpërndan mesazhet.

Edhe në rastin e Veliajt, inteligjenca artificiale krijon mundësinë që ai të shfaqet para publikut pa qenë fizikisht i pranishëm. Por ngjashmëria mes dy rasteve nuk do të thotë se rrethanat politike dhe ligjore janë të njëjta.

Ku përfundon komunikimi dhe ku nis manipulimi?
Dilema nuk qëndron vetëm te fakti që një politikan përdor inteligjencën artificiale për të folur me qytetarët. Nëse përmbajtja është e identifikuar qartë si e gjeneruar nga AI, publiku mund ta vlerësojë mesazhin duke e ditur se nuk po sheh një regjistrim të zakonshëm.

Problemi lind kur imazhi artificial përdoret për të krijuar përshtypjen e një pranie që në realitet nuk ekziston, ose kur forma teknologjike bëhet një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet që kërkojnë përgjigje.

Në rastin e Veliajt, kjo dilemë merr një dimension tjetër për shkak të pozicionit të tij si kryebashkiak i Tiranës dhe të procesit penal në të cilin ndodhet. Ai vazhdon t’u drejtohet qytetarëve, të flasë për punët e bashkisë dhe të prezantojë premtime për të ardhmen, ndërkohë që mbetet në paraburgim për akuzat e lidhura m,e korrupsionin.

Ndaj kjo metode natyshëm ngre pyetje se a po informohen qytetarët përmes një mjeti të ri komunikimi, apo po ndërtohet një skenë virtuale që e paraqet politikanin si aktiv dhe të pranishëm, pavarësisht rrethanave.

Keshtu, rasti i Veliajt dhe precedenti i Imran Khan tregojnë se burgu nuk e ndërpret domosdoshmërisht komunikimin politik. Por teknologjia që u jep politikanëve mundësinë të shfaqen virtualisht nuk e zëvendëson llogaridhënien dhe as nuk e ndryshon realitetin ligjor./ Politico.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com