AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Platforma online, çmime të arsyeshme dhe të pandryshuara deri më 12 janar

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e platformës “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismës “KURSE”, një bashkëpunim mes qeverisë, supermarketeve dhe furnitorëve, që synon të nxisë konkurrencën, të mbrojë konsumatorët dhe të lehtësojë shpenzimet e përditshme të familjeve shqiptare.

Platforma tashmë është funksionale dhe ka nisur me 238 produkte në 13 kategori, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet dhe të zgjedhin ku të blejnë më mirë.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se kjo nismë u bë e mundur përmes mirëkuptimit mes palëve, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë ndaj konsumatorëve në kushtet e rritjes së kostove dhe presionit mbi ekonomitë në mbarë botën.

“Më vjen shumë mirë që e realizuam këtë objektiv të parë pa pasur nevojë për asgjë më shumë sesa mirëkuptimi”, deklaroi Rama, duke shtuar se “në fund të ditës sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor”.

Kryeministri u shpreh se respekti ndaj konsumatorit duhet të shoqërohet me masa konkrete, veçanërisht në një periudhë kur rritja e kostove prek ekonomitë në shkallë globale.

“Në kushtet e një presioni të përgjithshëm mbi ekonominë, që nuk ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por që ka përfshirë botën mbarë, në kushtet e rritjes së kostove në tërësi, duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen”, tha Rama.

Ai bëri të ditur se, falë bashkëpunimit mes pesë subjekteve të rëndësishme të tregtisë ushqimore në Shqipëri, një sërë artikujsh do të ofrohen me çmime të arsyeshme dhe të pandryshuara deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.

“Sot pikërisht falë këtij mirëkuptimi dhe ndërveprimi të këtyre pesë subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, pasqyrën e çmimeve dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh, të cilët do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri më 12 janar të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se nisma nuk përbën fundin e procesit, por fillimin e zgjerimit të bashkëpunimit me më shumë operatorë ekonomikë.

“Ky nuk është fundi, është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte”, u shpreh ai, duke përmendur edhe bizneset më të vogla dhe pikat e shitjes me pakicë.

Rama theksoi se, në këto pika mund të ketë raste të lëvizjeve të paligjshme të çmimeve, ndërsa legjislacioni parashikon gjoba në rastet kur konstatohet spekulim.

Kryeministri falënderoi subjektet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit e tyre për angazhimin, duke përsëritur se qeveria do të vijojë të kërkojë mirëkuptimin dhe përfshirjen e sa më shumë operatorëve në këtë nismë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com