Ministri izraelit në Tiranë: Marrëdhëniet me Shqipërinë lidhje historike dhe vlera morale të përbashkëta, zgjerim i partneritetit
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar lidhjet historike, vlerat e përbashkëta dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, gjatë një deklarate të përbashkët në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha me të cilin nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit të përgjithshëm.
Sa’ar falënderoi homologun shqiptar për mikpritjen, duke e cilësuar Shqipërinë një mike të vërtetë të Izraelit. Ai u shpreh se, pavarësisht angazhimeve në prag të zgjedhjeve në Izrael, e konsideroi të rëndësishme vizitën në Shqipëri.
Ministri izraelit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej diplomacisë dhe mbështeten në lidhje historike dhe vlera morale të përbashkëta.
“Misioni ynë është shumë më i thellë sesa diplomacia. Ai i ka rrënjët në histori dhe në kurajën morale”, deklaroi Sa’ar.
Ai kujtoi qëndrimin e shqiptarëve gjatë Holokaustit, kur familje shqiptare strehuan dhe shpëtuan hebrenj të rrezikuar nga përndjekja naziste.
“Gjatë Holokaustit, kur hebrenjtë përndiqeshin në mbarë Europën, shqiptarët hapën shtëpitë e tyre dhe shpëtuan jetë njerëzish”, u shpreh Sa’ar, duke iu referuar traditës shqiptare të besës dhe solidaritetit njerëzor.
Sa’ar vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit, si dhe qëndrimin kundër terrorizmit të Hamasit. Në këtë kontekst, ai vlerësoi edhe kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij.
“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Edi Rama, në këndvështrimin tim një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë shumë përtej Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe rajonin tonë”, deklaroi ministri izraelit.
“Fjalët e tij të fuqishme kundër terrorizmit të Hamasit, përfshirë edhe në Knesset, vërtet patën shumë vlerë për izraelitët”, shtoi Sa’ar.
Ai falënderoi gjithashtu ministrin Ferit Hoxha për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në vijim, Sa’ar theksoi se Shqipëria dhe Izraeli synojnë të zgjerojnë partneritetin ekonomik dhe institucional. Ai kujtoi marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar në fushën e shëndetësisë, e cila përfshin inovacionin mjekësor dhe gatishmërinë për situatat emergjente.
“Sot duam ta zgjerojmë këtë partneritet me një marrëveshje më të gjerë ndërmjet dy qeverive, duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe për thellimin e bashkëpunimit”, deklaroi Sa’ar.
Sipas ministrit izraelit, forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbështetet në lidhjet historike dhe në vullnetin për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Fraksion.com

