Rama në Bruksel, merr pjesë në Samitin e Euronews për Zgjerimin
Kryeministri Edi Rama zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Euronews Enlargement Summit, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të bisedojë me gazetarët e Euronews për ecurinë e Shqipërisë në këtë proces ku paralelisht vijon puna dhe takimet teknike për mbylljen e grupkapitujve të radhës.
Shqipëria ka shënuar hapa të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pas hapjes së të gjashtë grupkapitujve negociues, që përfshijnë të 33 kapitujt e acquis të BE-së, vendi ka hyrë në fazën e mbylljes graduale të tyre.
Në konferencën e fundit ndërqeveritare, të mbajtur më 13 tetor 2026, Shqipëria dhe Bashkimi Europian mbyllën përkohësisht negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”. Deri më tani janë mbyllur përkohësisht katër kapituj, ndërsa vijon puna për përmbushjen e kritereve dhe standardeve europiane, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, funksionimit të institucioneve demokratike dhe administratës publike.
Samiti i Euronews në Bruksel zhvillohet në një moment të rëndësishëm për politikën e zgjerimit të BE-së, e cila po merr një dimension të ri në kushtet e zhvillimeve gjeopolitike, sfidave të sigurisë dhe konkurrencës ekonomike. Në fokus të diskutimeve janë përparimi i vendeve kandidate, reformat e nevojshme, angazhimet institucionale dhe ndikimi që zgjerimi mund të ketë në sigurinë, demokracinë dhe konkurrueshmërinë europiane.
Fraksion.com

