Luftë politike brenda llojit apo kanosje ndaj kryebashkiakut? Ndreca: Veliaj s’ka gisht në protesta. Ia kam thënë dhe Ramës…
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e një kallëzimi penal lidhur me përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, si dhe pretendimet për kërcënime ndaj këtij të fundit. Në një prononcim për mediat, Ndreca tha se për çdo veprim që mund të ketë cenuar të drejtat apo interesat politike dhe institucionale të Veliajt, mbrojtja do të përdorë të gjitha mjetet ligjore.
Ai theksoi se vendimi për kallëzimin penal nuk mund të merret pa komunikimin dhe konfirmimin e klientit, duke shpjeguar se për shkak të vështirësive në komunikim i duhet të udhëtojë çdo ditë 130 kilometra. Sipas tij, çështja është diskutuar edhe me grupin e avokatëve të huaj. “Po e diskutojmë nëse do të bëjmë kallëzim penal. Po e vlerësojmë. Më duhet të mirëkuptoni, sepse ka vështirësi në komunikime. Do më duhet të shkoj 130 km çdo ditë, pasi janë çështje që nuk mund të bëhen pa konfirmimin e klientit. I kam njoftuar dhe vënë në dijeni edhe grupin e avokatëve të huaj.”, tha i.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një luftë politike brenda së njëjtës forcë apo për një situatë që lidhet me veprën penale të kanosjes ndaj kryebashkiakut, Ndreca u shpreh se në rast konflikti mes interesave politike dhe atyre ligjore të klientit, do të zgjidhte të mbronte këtë të fundit. “Nëse përplasen interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të PS-së dhe interesat politike të kryeministrit me interesat ligjore të zotit Veliaj, do të zgjedh dhe do të mbroj interesat ligjore të zotit Veliajt. Kjo ndoshta mund të më kushtojë pasoja politike. Me rëndësi është që të mbrohen të drejtat themelore të njeriut, se kështu bëjmë politikë më të mirë dhe po ashtu edhe PS-në, shtetin e së drejtës.”, tha Ndreca.
Avokati zbuloi gjithashtu se komunikimin me kryeministrin Rama për çështjen e Veliajt e kishte zhvilluar rreth 20 ditë më parë, përpara se të nisnin përplasjet publike. Ai paralajmëroi se në momentin e duhur do të bëjë publike edhe detajet e këtij komunikimi. “Para 20 ditësh ia kisha komunikuar dhe zotit Rama, para se të nisnin përplasjet. Kishim komunikim mes meje dhe kryeministrit për zotin Veliaj. Në momentin e duhur do të bëj me dije dhe detajet.”, tha për mediat avokati. Ndreca shtoi se mbrojtja do të përdorë çdo element ligjor për të mbrojtur interesat e kryebashkiakut, në rast se veprimet e ndërmarra kanë ndikuar në veprimtarinë e tij politike, institucionale apo në të drejtat ligjore. “Çdo veprim që ka ndikuar në veprimtarinë politike të zotit Veliaj, apo institucionale apo dhe në të drejtat ligjore të tij, me qëllim të hapur apo të fshehtë, do të përdorim çdo element për mbrojtjen e interesave të kryebashkiakut të Tiranës.”, tha ai. Në fund, i pyetur nga gazetarët për pretendimet se përplasja mes Ramës dhe Veliajt mund të jetë një lojë e përbashkët mes tyre, Ndreca i cilësoi këto aludime si fantazi.
Fraksion.com

