AktualitetTë fundit

Ishte në intubim te “Trauma”, ndërron jetë avokati Saimir Vishaj

Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj, një prej emrave të njohur të avokatisë penaliste në Shqipëri. Ai ishte prej disa ditësh i shtruar në Spitalin e Traumës, ku ndodhej i intubuar, pas dëmtimeve të marra nga një rrëzim në shkallë.

Vishaj ishte rrëzuar në rrethana që ende nuk janë bërë plotësisht të ditura, duke pësuar disa dëmtime. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Në gusht të vitit 2025, avokati kishte treguar publikisht se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar për një periudhë në gjendje kome dhe i intubuar, por fatmirësisht kishte arritur të rikuperohej.

Saimir Vishaj ishte një nga avokatët penalistë më të njohur në vend. Ai ka drejtuar Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, ka qenë anëtar i organeve drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe pedagog në Universitetin “Luarasi”.

 

Jeta profesionale

Nga viti 2013 deri në vitin 2021 ishte anëtar i Komitetit të Disiplinës së Dhomës së Avokatisë, ndërsa për më shumë se një dekadë, nga viti 2009 deri në vitin 2021, drejtoi Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë. Në vitet 2018–2020 ishte gjithashtu anëtar i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi, i votuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa nga viti 2016 deri në vitin 2021, Vishaj punoi si pedagog i brendshëm në Universitetin “Luarasi” në Tiranë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com