“Na merrni në shtëpi”, Rama në Bruksel: S’ka asgjë më të mirë se Bashkimi Evropian
Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, mori pjesë në “EuroNews Enlargement Summit”, ndërsa komentoi perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke u ndalur fillimisht te qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe rëndësia e integrimit evropian për rajonin.
Kreu i qeverisë u shpreh se, pavarësisht çështjeve komplekse që shoqërojnë procesin, Bashkimi Evropian mbetet alternativa më e mirë për vendet e rajonit.
Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht ndryshimeve politike që ndodhën pas zgjedhjeve, Serbia vijon të mbajë një qëndrim të mbyllur ndaj njohjes së Kosovës.
“Ka shumë çështje komplekse, por në fund të fundit, nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Evropian. Nuk shohim asnjë hapje për çështjen më të dashur për mua dhe për shqiptarët, që është njohja e Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështjeje, çka tregon se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, braktisja e projektit evropian nga Serbia do të kishte pasoja negative për të gjithë rajonin, ndërsa përgjegjësia për korrigjimin e gabimeve i takon vetë Beogradit.
“Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor, por unë kam qenë gjithmonë avokat i qëndrimit se nuk duhet ta lejojmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe, në njëfarë mënyre, të braktisë projektin evropian, pasi kjo do të dëmtonte rajonin tonë. Serbia duhet të korrigjojë vetë gabimet e saj”, u shpreh Rama.
Fraksion.com

