BE dhe OKB dënojnë sulmin vdekjeprurës të Huthive në Riad
Sulmi i fundit ndaj aeroportit të Riadit është më i rëndi kundër Arabisë Saudite që nga fillimi i luftës me Iranin. Dëshmitarët flasin për panik, kaos dhe shumë viktima. A do të ndërhyjë SHBA?
Një raketë e milicëve Huthi godet zemrën e terminalit të pasagjerëve në aeroportin “King Khalid”. Sulmi i fundit ndaj aeroportit të Riadit është më i rëndi kundër Arabisë Saudite që nga fillimi i luftës me Iranin. Dëshmitarët flasin për panik, kaos dhe shumë viktima. Pamjet e filmuara me telefona celularë dhe të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë makthin që, me sa duket, kanë përjetuar udhëtarët në aeroportin e kryeqytetit saudit, Riad. Njerëz që vrapojnë nëpër një sallë nisjesh të shkatërruar, pluhur i dendur që mbulon ajrin si mjegull dhe njolla gjaku në dysheme.
Pas sulmit të milicisë Huthi kundër Arabisë Saudite ka pasur reagime të shumta. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u shpreh se ishte “thellësisht i tronditur” nga sulmi. “Sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë,” deklaroi Guterres. Ai theksoi se mbrojtja e civilëve dhe e objekteve civile është një detyrim themelor sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje për një ndalim të menjëhershëm të akteve të tilla të dhunës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin vdekjeprurës ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit, Riadit, duke e cilësuar atë si një “përshkallëzim të rrezikshëm”. Ajo i bëri thirrje milicisë Huthi, e mbështetur nga Irani, që t’i japë fund sulmeve ndaj objektivave civile. “Këto sulme të përfaqësuesve të Iranit po e shtyjnë rajonin drejt një spiraleje dhune”, deklaroi von der Leyen të dielën. Sipas saj, sulme të tilla destabilizojnë nyje të rëndësishme të transportit dhe energjisë dhe shkaktojnë pasoja që ndihen në mbarë botën. “Këto sulme vrasëse kundër civilëve duhet të ndalen menjëherë,” theksoi ajo, duke shtuar se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Arabinë Saudite.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul (CDU) e dënoi ashpër sulmin vdekjeprurës të milicisë Huthi ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit, Riadit. Në një postim në platformën X, Wadephul e cilësoi sulmin si një “akt terrorist” kundër Arabisë Saudite dhe kundër aviacionit civil. “Mendimet tona janë me viktimat. Familjeve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të thella,” deklaroi Wadephul. Ai shtoi se këtë mesazh ia kishte përcjellë edhe homologut të tij saudit, ministrit të Jashtëm Faisal bin Farhan.
Bilanci i rëndë i sulmit
Bilanci sulmit të milicisë Huthi është i rëndë: shumë të vdekur, më shumë se 300 të plagosur dhe ende civilë që vazhdojnë të luftojnë për jetën në spitalet e vendit. Bëhet fjalë për numrin më të lartë të viktimave në një sulm kundër shtetit të Gjirit, aleat i Shteteve të Bashkuara, që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të muajit shkurt. Frontet e këtij konflikti janë zgjeruar edhe në luftën mes milicisë Huthi, të mbështetur nga Irani, dhe qeverisë së Jemenit, e mbështetur nga Arabia Saudite.
Megjithatë, shumë pak informacion ka dalë në publik. Arabia Saudite duket se po përpiqet ta minimizojë jehonën mediatike të incidentit. Në kanalet informative të drejtuara nga sauditët, sulmi është trajtuar shumë pak ose pothuajse fare. Ndërkohë, bëhet fjalë për sulmin më të rëndë me raketa ndaj mbretërisë që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit.
Një zëdhënës i koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite kundër Huthive e cilësoi atë si një “krim lufte të mirëfilltë”. Ai deklaroi se koalicioni do të reagojë “me vendosmëri” ndaj këtij “sulmi terrorist frikacak”. Me këtë sulm raketor me pasoja të rënda ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit, konflikti me milicinë Huthi të mbështetur nga Irani është përshkallëzuar më tej. Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë mundësinë e ndërhyrjes.
Huthit deklaruan se u bëjnë thirrje të gjithë udhëtarëve të shmangin aeroportet saudite dhe t’i marrin seriozisht paralajmërimet e tyre. Vetëm pak ditë më parë, udhëheqësi i milicisë Huthi, Abdel Malak al-Huthi, kishte deklaruar: “Sulmet dhe zjarret që po përfshijnë objektet e naftës nuk do të ndalen. Arabia Saudite nuk gjen qetësi as ditën dhe as natën; në shumë rajone të vendit sirenat e alarmit vazhdojnë të bien.” Me këtë deklaratë, Huthit sinjalizojnë se synojnë të vazhdojnë sulmet ndaj infrastrukturës saudite, ndërsa tensionet në rajon po rriten më tej pas goditjes së rëndë ndaj aeroportit të Riadit.
Trump njofton bisedime
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi i tronditur ndaj sulmit. Ai e cilësoi atë si “të tmerrshëm dhe të papranueshëm” dhe deklaroi se do të zhvillojë bisedime me princin e kurorës së Arabisë Saudite.
Trumpi nuk e përjashtoi as mundësinë e një përfshirjeje të SHBA-së në luftimet kundër milicisë Huthi. Në sulm humbi jetën edhe të paktën një shtetas amerikan, gjë që mund të rrisë presionin mbi Uashingtonin për të vepruar.
Deri më tani, Trump kishte mbajtur një qëndrim mjaft të rezervuar ndaj kërkesave të Arabisë Saudite për mbështetje amerikane në luftën kundër Huthive. Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës në aeroportin e Riadit, qëndrimi i SHBA-së duket se mund të ndryshojë./DW
Fraksion.com

