AktualitetKosovaTë fundit

Ndryshimet e ligjit: Rrezikon Kosova raportet me Perëndimin?

BE kërkon respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara, kurse ata që kërkuan ndryshimet, thonë se ligji nuk bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare. Ekspertët kërkojnë konsultime me partnerët ndërkombëtarë.

Dy herë radhazi Bashkimi Evropian reagoi pas ndryshimeve të ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, duke thënë se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Sipas zëdhënësit të BE-së, Christian Wigand, Dhomat e Specializuara po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të siguruar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Wigand, duke shtuar në të njëjtën kohë “duhet të sigurohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve”.

Pavarësia e Dhomave të Specializuara nuk duhet të cënohet

Reagime pati edhe nga ambasada gjermane në Prishtinë, e cila është shprehur e shqetësuar për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës bëri të martën mbrëma në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha për mediet në Prishtinë se “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet”. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështeten në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, citohet të ketë thënë zëdhënësja Heine, duke shtuar se ambasada gjithashtu e mbështet edhe qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.

PDK: Ligji “nuk i shkel” detyrimet ndërkombëtare as Kushtetutën e Kosovës

Iniciatorët e ndryshimeve ligjore të ligjit për Dhomat e Specializuara ngulin këmbë, se ligji “nuk i shkel”, detyrimet e veta ndërkombëtare, sikundër nuk “shkel”, Kushtetutën e Kosovës. Përparim Gruda, si iniciues nga Partia Demokratike e Kosovës, pas reagimeve të BE-së, u shpreh në publik, se “është ngritur me të drejtë një shqetësim se a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?”, duke ngritur shqetësimin, siç thotë, se “Gjykata Speciale deri më sot ka treguar se është e gatshme ta interpretojë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës sipas mënyrës së vet”. Gruda pret që Gjykata Speciale “të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji”. “Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po. Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, thotë Gruda.

Slogane në Kosovë para dhënies së dënimit në Hagë
Iniciatorët e ndryshimeve ligjore të ligjit për Dhomat e Specializuara ngulin këmbë, se ligji “nuk i shkel”, detyrimet e veta ndërkombëtare, sikundër nuk “shkel”, Kushtetutën e Kosovës.Fotografi: B.S/DW

Megjithatë Përparim Gruda nga PDK është i vetëdijshëm, se “ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale”. “Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë”, thotë Gruda.

Çfarë thonë ekspertë të politikës e drejtësisë në Kosovë?

Njohësit e zhvillimeve politike dhe ata të drejtësisë ndërkaq, thonë se rruga që kanë ndjekur Dhomat e Specializuara ka qenë traumatike për shoqërinë e Kosovës në shumë nivele: historik, kombëtar, politik dhe emocional, që nga themelimi i tyre dhe i gjithë procesi e deri te vendimi përfundimtar.

Politologu Artan Muhaxhiri thotë për DW se, “projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të konsiderohet si një reagim i domosdoshëm dhe i menjëhershëm institucional për ta trajtuar këtë çështje”. “Nga këndvështrimi ndërkombëtar, në shikim të parë, kjo nismë mund të interpretohet edhe si një përpjekje për të ndërhyrë në procesin gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, është me rëndësi thelbësore që spektri politik i Kosovës dhe ekspertët e saj ligjorë të dëshmojnë përtej çdo dyshimi, se kjo masë nuk bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar që ajo të arrijë rezultatin e dëshiruar dhe të mos prodhojë efekt të kundërt”, thotë Muhaxhiri.

Një njohës tjetër i sistemit të drejtësisë, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha DW-së se ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale dhe zbatimi i tij është një proces kompleks, sepse “pa përfshirjen në ekspertizë të partnerëve ndërkombëtarë, vështirë se ligji mund të prodhojë pasoja juridike në praktikë, apo të cenojë rastet që janë në proces e sipër në Hagë”. “Në këtë drejtim, në mënyrë urgjente duhet të fillojnë konsultimet dhe bashkëpunimi me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që këto ndryshime të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë, pasi që çdo plotësim dhe ndryshim i Ligjit mbi Dhomat e Specializuara është subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë”, thotë Miftaraj.

Miftaraj kërkon që Kosova të ruajë raportet me partnerët ndërkombëtarë. “Qeveria dhe presidentja e re do të duhej që, në mirëbesim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të diskutonte për çdo plotësim apo ndryshim të ligjit, gjë që nuk ka ndodhur”.

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Pula-Shiroka
Ligji i ndryshuar nga parlamenti i Kosovës për Gjykatën Speciale, që pritet të dekretohet nga presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Pula-ShirokaFotografi: Visar Kryeziu/AP Photo/dpa/picture alliance

Ligji i ndryshuar pritet të dekretohet

Ligji i ndryshuar nga parlamenti i Kosovës për Gjykatën Speciale, që pritet të dekretohet nga presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Pula-Shiroka, nuk e kufizon angazhimin e Gjykatës për të vazhduar hetimet për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, të pretenduara nga raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për çka edhe ishte themeluar Gjykata Speciale.

Por ligji tashmë i ndryshuar parasheh ngushtimin në disa fusha të mandatit të Gjykatës Speciale, që përfshin periudhën kohore që mbulon Gjykata, nga periudha e ligjit të mëparshëm, janar 1998-dhjetor 2000, në 1 korrik 1999-31 dhjetor 2000. Në ligj parashihet po ashtu kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mbajtja e dënimeve në Kosovë dhe mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.

Bazuar në këto pika ndër kryesoret të ligjit, politologu Artan Muhaxhiri thotë se “çështjet që lidhen me juridiksionin, kufijtë maksimalë të dënimeve të parashikuara me ligj dhe çështje të tjera të ngjashme duhet të argumentohen në mënyrë profesionale dhe rigoroze, duke dëshmuar se ato garantojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe se janë të mbështetura fort në sistemin juridik të Kosovës, pra në të njëjtin sistem juridik që i themeloi Dhomat e Specializuara”./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com