Çmimi Nobel për Paqen i jepet Navanethem “Navi” Pillay
Me Çmimin Nobel të Paqes 2026 vlerësohet juristja nga Afrika e Jugut Navanethem “Navi” Pillay. Këtë e njoftoi juria në Oslo. Pillay ka qenë Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Për çmimin prestigjoz Nobel i Paqes 2026 ishin nominuar 287 personalitete dhe organizata. Sivjet Nobeli i akordohet aktivistes dhe juristes së karrierës nga Afrika e Jugut Navanethem Pillay. Ajo ka qenë nga 2003 deri në vitin 2008 gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Nga viti 2008 deri në vitin 2014 shërbeu si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Pillay është gjithashtu gjyqtare ad hoc në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen ligjore Gambia kundër Mianmarit.
Navanethem Pillay pas studimeve dhe karrierës si juriste në Afrikën e Jugut, ka mbrojtur doktoraturën lidhur me vështirësitë e arritjes së drejtësisë kur, brenda një shteti, ligji keqpërdoret si instrument politik. Diplomimi i saj në universitetin prestigjioz Harvard i mundësoi kthimin në Afrikën e Jugut me një prestigj më të madh në sistemin gjyqësor. Në vitet 1980, Pillay ligjëroi në Universitetin e KwaZulu-Natalit. Në vitin 1992, së bashku me amerikanen Jessica Neuwirth, ajo ishte bashkëthemeluese e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e grave Equality Now (“Barazi Tani”), ku u angazhua për përfshirjen e të drejtave civile dhe lirive themelore në kushtetutën e ardhshme të Afrikës së Jugut. Nga viti 1992 deri në vitin 1995 ajo ishte anëtare e bordit drejtues të organizatës.
Gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë
Në vitin 2003, me propozimin e grupit të shteteve afrikane, Pillay u zgjodh nga shtetet palë të Statutit të Romës si gjyqtare e Dhomës së Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë për një mandat gjashtëvjeçar. Emërimi i saj u konsiderua i veçantë, pasi deri në atë kohë para kësaj gjykate ishin trajtuar vetëm çështje nga Afrika.
Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut
Në korrik të vitit 2008, ajo u propozua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, për postin e Komisioneres së Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHCHR). Më 28 korrik, emërimi i saj u konfirmua unanimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ajo mori detyrën më 1 shtator 2008. Pillay pasoi kanadezen Louise Arbour, e cila, pas përfundimit të mandatit të saj në fund të qershorit 2008, nuk kandidoi për një mandat të ri.
Gjatë karrierës së saj Pillay është vlerësuar me një sërë çmimesh prestigjoze për merita në fushën e drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçançrisht ajo është angazhuar në luftën kundër ndarjes racore në Afrikën e Jugut dhe më gjerë.
Çmimi Nobel në të gjitha kategoritë tradicionalisht dorëzohet më 10 dhjetor, dita e vdekjes së Alfred Nobel në Stokholm. Ndërsa vetëm ceremonia e dorëzimit të Çmimit Nobel të Paqes zhvillohet në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Çmimi Nobel sivjet në të gjitha kategoritë ka një vlerë prej dymbëdhjetë miliona krona suedeze, afërsisht rreth një milion euro.
Fraksion.com

