AktualitetPolitikëTë fundit

McGrath në Shqipëri: Me rëndësi pavarësia gjyqësore

Komisioneri i BE McGrath në prag të vizitës në Shqipëri nënvizon “rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë gjyqësore dhe garantimit që institucione si SPAK të mund të vazhdojnë ta përmbushin mandatin në mënyrë efektive”.

DW: Z. Komisioner McGrath, ju keni thënë se Evropa duhet të ketë “tolerancë zero” ndaj korrupsionit dhe se hetuesit duhet të jenë në gjendje të ndjekin provat pa ndërhyrje. A keni parë ndonjë arsye për shqetësim në Shqipëri kur bëhet fjalë për pavarësinë e hetimeve kundër korrupsionit?

Michael McGrath: Evropa ka tolerancë zero ndaj korrupsionit. Ne tashmë kemi në fuqi Direktivën kundër Korrupsionit dhe do t’i shtojmë përpjekjet për të luftuar korrupsionin duke paraqitur një Strategji të dedikuar kundër Korrupsionit më vonë gjatë këtij viti.

Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në forcimin e kuadrit të saj antikorrupsion, dhe SPAK-u ka ka arritur rezultate të konsoliduara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Arritjet e tij tregojnë se çfarë mund të japin institucionet e pavarura dhe të pajisura me burime të mjaftueshme, dhe ky ka qenë një aspekt i rëndësishëm i përparimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e rezultateve, por edhe me garantimin që institucionet të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe të lira nga ndikimi i padrejtë, jo një herë, por vazhdimisht. Raporti i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit i vitit 2026 thekson shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me përpjekjet për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, si dhe retorikën negative dhe presionin e drejtuar ndaj magjistratëve, përfshirë ata që punojnë në SPAK.

Kjo është arsyeja pse, gjatë angazhimeve të mia në Shqipëri, do të nënvizoj rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë gjyqësore dhe garantimit që institucione si SPAK-u të mund të vazhdojnë ta përmbushin mandatin e tyre në mënyrë efektive.

DW: Zyra e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton gjithnjë e më shumë figura dhe zyrtarë të lartë politikë. A shihni ndonjë dobësi në sistem kur hetimet arrijnë nivelet më të larta të pushtetit?

Michael McGrath: Një nga testet më të rëndësishme të çdo sistemi antikorrupsion është aftësia e tij për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht çështjet në mënyrë të paanshme, pavarësisht nga pozicioni apo statusi i personave të përfshirë. Në këtë drejtim, SPAK-u ka arritur rezultate të konsoliduara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Kjo është një arritje e rëndësishme.

Prioriteti tani është të garantohet që institucionet përgjegjëse për këto hetime të mund të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe me burime të mjaftueshme. Raporti i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit i vitit 2026 nxjerr në pah shqetësimet në lidhje me përpjekjet për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, si dhe presionin e drejtuar ndaj magjistratëve, përfshirë ata që punojnë në SPAK. Kjo nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve, veçanërisht kur merren me në trajtimin e çështjeve sensitive.

Një angazhim i fortë për të luftuar korrupsionin është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo kërkon vullnet politik, vendosmëri në të gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe një angazhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Kriteri përmbyllës për antikorrupsionin kërkon nga Shqipëria të rrisë kapacitetet operacionale, të demonstrojë rezultate të konsoliduara dhe të qëndrueshme, si dhe të konsolidojë kuadrin për parandalimin e korrupsionit.

Këta janë hapa të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe Komisioni do të vazhdojë ta monitorojë progresin nga afër.

DW: Kryeministri Edi Rama thotë, se Shqipëria synon të jetë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Nga perspektiva juaj, cila është gjëja më e rëndësishme që Shqipëria duhet ende të provojë përpara se progresi i saj të konsiderohet i pakthyeshëm?

Michael McGrath: Shqipëria është ndër vendet pararendëse në procesin tonë të anëtarësimit. Vendi ka bërë një rrugë të gjatë, veçanërisht me transformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndërtimin e institucioneve më të forta. Çelësi tani është të tregohet se këto reforma janë të qëndrueshme dhe japin rezultate afatgjata në praktikë.

Kjo do të thotë institucione të pavarura që mund të veprojnë pa ndërhyrje të panevojshme, rezultate të konsoliduara dhe vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mekanizma më efektive kontrolli dhe balancash. Kjo do të thotë gjithashtu të garantohet që reformat zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe transparente, dhe që qytetarët të mund të shohin ndikimin e tyre.

Kjo është faza tjetër e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit: ruajtja e vrullit të reformave dhe demonstrimi se ato japin rezultate në praktikë. Në fund të fundit, është qëndrueshmëria dhe cilësia e këtyre rezultateve që do të përcaktojnë se sa shpejt mund të ecë përpara Shqipëria drejt anëtarësimit në BE.

DW: Kur bëhet fjalë për korrupsionin e nivelit të lartë, a është përgjegjësia penale vetëm individuale apo ekziston edhe përgjegjësia politike dhe institucionale?

Michael McGrath: Korrupsioni në nivelet më të larta godet në zemër të demokracisë. Ai gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet e tyre dhe minon vetë idenë se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Përgjegjësia penale, sigurisht, është individuale dhe duhet të përcaktohet nga autoritetet gjyqësore kompetente bazuar në prova dhe në një proces të rregullt ligjor. Por përgjegjësia politike shkon më tej. Atyre që mbajnë poste publike u është besuar interesi publik. Ata kanë për detyrë të udhëheqin përmes shembullit: të ndërtojnë një kulturë integriteti, të përballen me rreziqet e korrupsionit, si dhe të garantojnë që institucionet e pavarura të drejtësisë të mund ta bëjnë punën e tyre pa ndërhyrje.

Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë nuk ka të bëjë vetëm me rastet individuale. Ajo ka të bëjë edhe me pasjen e mekanizmave të fortë parandalues, mekanizmave efektivë të kontrolleve dhe balancave, si dhe institucioneve me kapacitetin dhe pavarësinë për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin kudo që ndodh. Rezultatet e arritura nga SPAK-u tregojnë se çfarë mund të bëjnë institucionet e pavarura dhe të pajisura me burime të mjaftueshme.

Për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të dy dimensionet kanë rëndësi: përgjegjësia individuale për sjelljen kriminale dhe forcimi i vazhdueshëm i kuadrit institucional që parandalon korrupsionin dhe garanton që askush të mos jetë mbi ligjin.

DW: BE-ja po e forcon kuadrin e saj kundër korrupsionit dhe po harton një Strategji të re kundër Korrupsionit. Çfarë do të thotë kjo në praktikë për vendet kandidate si Shqipëria?

Michael McGrath: BE-ja po ngre vetë standardin e saj në luftën kundër korrupsionit. Direktiva e re e BE-së për luftën kundër korrupsionit, e cila hyri në fuqi në maj të këtij viti, përcakton standarde të përbashkëta më të forta për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit, duke përfshirë kërkesa më të forta për mjete efektive hetimore dhe masa parandaluese. Duke u bazuar në këtë moment historik, Komisioni po përgatit edhe Strategjinë e parë të BE-së kundër Korrupsionit, e cila do të ofrojë një qasje më gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Për vendet kandidate, kjo ka rëndësi në dy mënyra. Së pari, këto standarde do të bëhen pjesë e acquis të BE-së me të cilën Shqipëria duhet të përafrohet dhe ta zbatojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Së dyti, kjo dërgon një mesazh të qartë: ne nuk po u kërkojmë partnerëve tanë të bëjnë asgjë që nuk ia kërkojmë edhe vetes. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria tani mbulohet nga Raporti ynë vjetor për Sundimin e Ligjit, së bashku me 27 Shtetet Anëtare.

Procesi i anëtarësimit bazohet në meritë dhe ajo që ka rëndësi në fund janë rezultatet. Kjo do të thotë të kesh institucione të forta, të pavarura dhe me burime të mjaftueshme, si dhe të ofrosh rezultate të qëndrueshme. Kjo do të thotë përparim i vazhdueshëm me hetimet financiare dhe rikuperimin e aseteve. Kjo do të thotë gjithashtu një parandalim që përfshin gjithë sektorët më të prekshëm nga korrupsioni, përmes vlerësimeve të rrezikut dhe masave të integritetit.

Kjo punë është thelbësore për procesin e zgjerimit. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e ngulitur fort në gjithë kapitujt përkatës të negociatave, me progresin e matur përmes zbatimit efektiv dhe një historiku të qëndrueshëm përpara se të mbyllen kapitujt. Objektivi është i qartë: të garantohet që reformat e miratuara në letër të përkthehen në rezultate të qëndrueshme në praktikë./DW

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com