AktualitetTë fundit

Kuvendi diskuton sot projektligjin për ndarjen e re territoriale dhe interpelancë me 4 ministra

Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare me 18 pika në rendin e ditës, ku përfshihen interpelanca me disa ministra, si dhe shqyrtimi i Reformës Territoriale.

Seanca do të nisë me interpelancën urgjente të kërkuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo.

Në vijim do të zhvillohen dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Po ashtu, Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Një nga çështjet kryesore të seancës do të jetë shqyrtimi i projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Për miratimin e tij kërkohet shumicë e cilësuar votash.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu disa projektligje që lidhen me integrimin europian, sistemin financiar dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe ndryshimet në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë dhe në ligjin për sistemin e pagesave. Në rendin e ditës janë edhe ndryshimet në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, markat tregtare, si dhe patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.

Një tjetër pikë është projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore KAYO sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com