“Çdo ditë ka vrasje”: Banorët e Gazës përballen me sulme izraelite pavarësisht armëpushimit, ndërsa marrëveshja e paqes ka ngecur
Në tendën e saj në Gazën qendrore, herët në një mëngjes të muajit të kaluar, 31-vjeçarja Fida al-Toutah – nënë e pesë fëmijëve – po i krihte flokët së bijës kur shpërtheu zhurma e të shtënave.
“Nëna na bërtiti të shtriheshim përtokë,” kujtoi i biri, Ezz, duke qarë ndërsa fliste.
Ai e kuptoi se Fida ishte qëlluar vetëm kur pa duart e përgjakura të vëllait të tij më të vogël, i cili ishte kapur fort pas nënës ndërsa plumbat binin mbi ta.
“Nëna jonë ishte kaq e sjellshme dhe bujare. Çfarë kishte bërë ajo gabim?” tha Ezz.
Fida vdiq më 21 shtator si pasojë e një plage me armë zjarri në kokë.
Ajo është një nga më shumë se 1.400 personat në Gaza që janë vrarë në sulmet izraelite që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor të vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës (të drejtuar nga Hamasi), shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Armëpushimi solli lirimin e mijëra palestinezëve të mbajtur nga Izraeli në këmbim të të gjithë 48 pengjeve të mbetura në Gaza, si dhe një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës – e cila nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, kur u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u morën peng 251 të tjerë.
Në terren në Gaza, kjo nënkuptonte ndalimin e bombardimeve në shkallë të gjerë nga ana e Izraelit, gjë që solli lehtësim të konsiderueshëm dhe shtim të ndihmave humanitare e të furnizimeve mjekësore që hynin në territor.
Megjithatë, edhe gjatë armëpushimit, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në Gaza pothuajse çdo ditë. Vetëm gjatë javës së kaluar janë vrarë më shumë se 30 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Izraeli thotë se po shënjestron operativë të Hamasit dhe e akuzon Hamasin për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit.
“E gjitha është gënjeshtër [armëpushimi]. Çdo ditë ka të shtëna. Çdo ditë ka vrasje dhe vdekja përgjon kudo,” tha Ahed, bashkëshorti i Fidës. Në përgjigje të pyetjeve të BBC-së lidhur me vrasjen e Fidës, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se nuk kishin asnjë regjistrim apo informacion për incidentin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sulmet izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza, tre vjet më parë, ka arritur në mbi 74,000.
Jashtë tendës së Fidës, vëllai i saj, Ibrahimi, tregoi vrimat që, sipas tij, ishin shkaktuar nga një breshëri plumbash e qëlluar nga forcat izraelite.
“Kjo tendë është thjesht një copë pëlhurë. Imagjinoni që një mjet ushtarak erdhi këtu dhe lëshoi një breshëri plumbash,” tha ai. “Kishte gjithashtu të shtëna që vinin nga qielli, nga lart, nga dronët me katër helika (kuadrokopterë), dhe ato ishin të drejtuara ndaj civilëve të paarmatosur.”
Fida është fëmija i katërt i familjes së Ibrahimit që vritet që nga fillimi i luftës. “Ne u larguam nga lagjja jonë, Zeitoun, për të mbijetuar, por vdekja po na ndjek,” tha ai.
Familja është zhvendosur shtatë herë, por siguria ka qenë e paarritshme. Sipas OKB-së, pjesa më e madhe e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh të Gazës është zhvendosur disa herë për shkak të luftës, dhe shumë prej tyre janë detyruar të jetojnë në kampe me tenda apo në struktura të pasigurta.
Ditën kur u vra Fida, u vra me armë zjarri edhe 14-vjeçari Ismail al-Bardawil. Ai u vra në zonën al-Mawasi të Rafahut, në jug të Gazës.
Familja e tij i tha BBC-së se ai u qëllua nga forcat izraelite ndërsa po peshkonte në Detin Mesdhe së bashku me vëllezërit e tij, rreth 20 metra larg bregut. Ai është një nga më shumë se 300 fëmijët e vrarë që nga fillimi i armëpushimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
IDF-ja deklaroi se nuk kishte informacion as për këtë incident.
Gjatë vitit të kaluar, IDF-ja ka publikuar video të operacioneve të saj në Gaza, të cilat kishin në shënjestër Hamasin dhe grupe të tjera. Të paktën shtatë ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i armëpushimit. Si Fida ashtu edhe Ismail jetonin pranë të ashtuquajturës “Vijë e Verdhë”, e cila ndan zonat e pushtuara nga ushtria izraelite në Gaza nga zonat e kontrolluara prej Hamasit në perëndim.
Zonat rreth kësaj vije konsiderohen si më të rrezikshmet, pasi forcat izraelite shpesh kanë hapur zjarr aty. Megjithatë, ka pak mundësi për t’u zhvendosur, pasi hapësira është tejet e kufizuar.
Rripi i Gazës ishte i populluar dendur edhe para se të fillonte lufta. Tani, popullsia e tij është grumbulluar në më pak se 40% të territorit, zonë kjo që kontrollohet nga Hamasi.
Në këto zona, grupi ushtron një kontroll të rreptë, duke shtypur çdo formë kundërshtie dhe duke vazhduar rekrutimin e luftëtarëve.
Në muajin maj të këtij viti, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte urdhëruar ushtrinë izraelite (IDF) të zgjeronte në 70% zonën e Gazës nën kontrollin e Izraelit.
Arkitektja Amal Alabadla, e cila para luftës jetonte në një apartament të rehatshëm, tani jeton në një çadër buzë bregdetit.
“Sa herë bie shi, zona përmbytet. Krijoj ndjesi të madhe frike kur fryn erë e fortë, sepse çadra jonë shkatërrohet ose dëmtohet,” tha ajo.
Amali detyrohet t’i rrisë e vetme dy djemtë e saj – Mohammedin dhe Noah-n.
Bashkëshorti i saj nuk ndodhej në Gaza kur shpërtheu lufta dhe, prej tre vitesh, ata nuk janë ribashkuar. Tre vëllezërit e Amalit, të cilët e ndihmonin në kujdesin për djemtë, u vranë në sulme të ndara para se të hynte në fuqi armëpushimi.
“Gjatë dimrit, djali im pëson kriza epilepsie për shkak të të ftohtit. Ndonjëherë është shumë e vështirë ta mbaj atë të thatë dhe të ngrohtë,” tha ajo.
“Para luftës, kisha një punë, një shtëpi, një jetë të zakonshme, por më pas gjithçka ndryshoi rrënjësisht. Tani nuk kemi asnjë shpresë, asgjë. Bëhet fjalë vetëm për të mbijetuar ditë pas dite, për t’i mbajtur fëmijët e mi gjallë, të pastër, të shëndetshëm dhe të ushqyer.”
Në brendësi të Gazës ka kampe që janë ndërtuar madje nën nivelin e detit, të cilat janë më të rrezikuara nga përmbytjet.
Marrëveshja e paqes e tetorit 2025 supozohej se do t’i hapte rrugën rindërtimit në Gaza, por procesi ende nuk ka filluar; ai ka mbetur pezull për shkak të një ngërçi lidhur me fazën e dytë të marrëveshjes.
Izraeli kontrollon rreptësisht se cilat materiale dhe makineri lejohen të hyjnë në Gaza, duke vepruar, siç pretendon vetë, për arsye të sigurisë së tij.
Në fillim të këtij viti, presidenti amerikan Donald Trump propozoi një plan për çarmatosjen e Hamasit, por në gusht ai u hodh poshtë nga Netanyahu, i cili deklaroi se nuk do të kishte tërheqje ushtarake derisa Hamasi të çarmatosej “në mënyrë të mirëfilltë”.
Hamasi ka deklaruar se dorëzimi i armëve të rënda varet nga dhënia fund e “të gjitha formave të agresionit” nga ana e Izraelit dhe tërheqja e forcave të tij nga Gaza.
Në anën tjetër të botës, Bordi i Paqes i Trumpit ka propozuar gjithashtu një plan rimëkëmbjeje për Gazën me vlerë 2,45 miliardë dollarë (1,85 miliardë paund).
Megjithatë, një vit pas armëpushimit dhe tre vjet pas fillimit të luftës, shumë njerëz si Amali janë thellësisht skeptikë se situata në terren do të ndryshojë vërtet.
“Ne po përballemi me vështirësi dhe nuk na lejohet të rindërtojmë,” tha ajo. “Nuk besoj se po na thonë të vërtetën kur flasin për të na lejuar të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë.”

Fraksion.com

