AktualitetTë fundit

Shpërthimi me lëndë plasëse në Elbasan, dyshohet mesazh paralajmërues! Pistat e hetimit

Një shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Elbasanit.

Si pasojë e shpërthimit u dëmtua dera e jashtme e rrethimit të banesës së shtetasit Shefki Frakulli, 69 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse dyshohet se është vendosur pranë hyrjes së banesës, duke shkaktuar dëmtime në derën e jashtme të rrethimit. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave. Janë administruar provat dhe materialet e nevojshme, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje.
Në banesë jeton çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes ndodhen prej vitesh në emigracion, përkatësisht në Angli dhe Itali.

Një nga pistat që mund të verifikohet nga grupi hetimor lidhet me mundësinë që dëmtimi i banesës të jetë një akt intimidues ose mesazh kërcënues ndaj familjes.

Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që të konfirmojnë motivin e ngjarjes apo ndonjë lidhje të saj me aktivitetin e djemve të familjes në emigracion.

Hetuesit pritet të analizojnë çdo rrethanë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes, përfshirë kamerat e sigurisë në zonë, gjurmët e mbledhura në vendngjarje dhe çdo konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur familja.

Policia vijon hetimet dhe pritet që veprimet e mëtejshme hetimore të hedhin dritë mbi autorësinë dhe motivin e kësaj ngjarjeje.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com