Tre javë pa transport, rreth 30 nxënës protestojnë para gjimnazit në Livadhja të Sarandës
Rreth 30 nxënës nga Shalësi, Xarra, Çifliku dhe Mursia po protestojnë këtë të martë në gjimnazin “Lefter Talo” në Livadhja, duke kërkuar zgjidhjen e problemit të transportit shkollor.
Autobusi funksionoi gjatë tre ditëve të para të shkollës, por më pas shërbimi u ndërpre. Prej atëherë, nxënësit nga katër fshatrat janë detyruar të gjejnë vetë mënyra të ndryshme për të mbërritur në Livadhja dhe për t’u kthyer në banesat e tyre.
Nxënësit thonë se transporti në këtë itinerar është kryer prej vitesh pa pagesë dhe kërkojnë të dinë përse këtë vit shërbimi është ndërprerë.
Sipas tyre, pas ndërprerjes së autobusit, si alternativë u është ofruar transporti me pagesë. Problematika është ngritur edhe nga drejtoria e gjimnazit “Lefter Talo”. Sipas nxënësve, drejtoria i është drejtuar disa herë bashkisë për zgjidhjen e situatës, por deri më tani autobusi nuk është rikthyer.
Fraksion.com

