Marta Kos: Masat mbrojtëse kundër kuajve të Trojës në BE do të jenë tepër të ashpra
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi për TVP World se fitorja e një lëvizjeje studentore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë mund të shënojë “një fillim të ri” për vendin në përpjekjet e tij për t’u anëtarësuar në BE.
Masat mbrojtëse, të vendosura për të disiplinuar shtetet anëtare që nuk respektojnë rregullat dhe vlerat e BE-së, do të jenë “tepër të ashpra” për të frenuar “kuajt e Trojës” brenda bllokut, tha për TVP World Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Kos theksoi se BE-ja i ka vendosur këto masa mbrojtëse duke u bazuar në përvojën e saj me udhëheqjen e mëparshme të Hungarisë, e cila mbante qëndrim pro-Moskës.
“Nëse shtetet anëtare i respektojnë rregullat tona, ato as nuk do t’i vërejnë këto masa,” tha ajo. “Por, nëse veprojnë kundër tyre, atëherë këto masa mbrojtëse do të jenë tepër të ashpra. Kjo është, në thelb, filozofia e këtyre masave të reja.”
Deklarata e Kos erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Serbi – vend ky që ka një histori të lëkundjes mes Brukselit dhe Moskës – të cilat u fituan nga një lëvizje politike e lindur nga protestat masive të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit në sektorin publik.
Përveç problemeve me parimet themelore demokratike, siç është pavarësia e gjyqësorit, përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE janë penguar edhe nga mangësitë në “rreshtimin e saj strategjik në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi se, nëse një vend kandidat nuk është i rreshtuar strategjikisht me Bashkimin Evropian – “që do të thotë të jemi së bashku në luftën kundër Rusisë, veçanërisht në luftën e Rusisë në Ukrainë” – atëherë do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë për atë vend që të përparojë” në procesin e anëtarësimit. Por Kos shtoi se këto çështje mund të trajtohen vetëm pasi të jetë formuar qeveria e re në Beograd.
Në përputhje me BE-në
Lëvizja studentore, e cila arriti sukses në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka kërkesa që përputhen me ato të Bashkimit Evropian, u shpreh Kos.
Duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve në Serbi si “të shkëlqyer”, Kos tha se kërkesat e studentëve – sundimi i ligjit, demokracia, media e lirë dhe lufta kundër korrupsionit – përputhen me “atë që ne kërkojmë nga Serbia në procesin e anëtarësimit”.
“Serbia ka qenë vend kandidat [për anëtarësim në BE] për më shumë se dhjetë vjet, por… në vend që të përparonte në këtë proces, ajo ka shënuar regres”, tha Kos. “Prandaj, ky sukses i listës studentore mund të shërbejë si një fillim i ri për Serbinë në rrugën e saj evropiane.”
Fraksion.com

