AktualitetBota+Të fundit

EDGE rrit prodhimin vjetor të municioneve për granata 40 mm në 1,5 milionë njësi

EDGE ka vënë në funksion të plotë një linjë të automatizuar për prodhimin e municioneve për granata 40 mm në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), me kapacitet për të prodhuar deri në 1,5 milionë njësi në vit.

Linja, e cila operohet nga LAHAB – një degë e kompanisë EDGE – filloi punën në fund të vitit 2025. Ajo automatizon montimin e nënkomponentëve të municionit nga fillimi deri në fund, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.

Sistemi i prodhimit përbëhet nga tri module: njëri për montimin dhe mbushjen e gëzhojave, tjetri për mbushjen dhe montimin e predhave, dhe i treti për montimin përfundimtar dhe vendosjen e municioneve në shirita (karikatorë). Sistemi mbledh të dhëna prodhimi nga të gjitha modulet dhe i shfaq ato – së bashku me vëllimin e prodhimit, performancën dhe statusin operacional – në një panel kontrolli në kohë reale. Kjo i lejon stafit të identifikojë problemet ndërkohë që linja është në punë.

Drejtori Ekzekutiv i LAHAB, Mohammed Arbabi, u shpreh se automatizimi ka ulur nevojën për punë manuale me pothuajse 60 për qind.

“Kjo mundëson një prodhim vjetor më të lartë, efikasitet më të madh dhe më pak varësi nga operacionet manuale, duke krijuar një bazë më të fortë për prodhimin e avancuar dhe të shkallëzueshëm të granatave 40 mm,” tha ai.

Automatizimi i Prodhimit në EDGE

Kjo linjë e re është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të EDGE për të automatizuar operacionet e saj të prodhimit në sektorin e mbrojtjes. Në vitin 2025, grupi njoftoi përfundimin e më shumë se 68 projekteve të transformimit sipas modelit “Industria 4.0” në 28 objekte prodhimi, duke dyfishuar kapacitetin prodhues në 13 prej këtyre njësive.

EDGE ka zbatuar automatizimin edhe në prodhimin e armëve të drejtuara përmes HALCON, degës së saj të specializuar në armët inteligjente. Një linjë e automatizuar montimi për armën e drejtuar me rrëshqitje (glide weapon) “DESERT STING 16” përfshin 11 robotë industrialë, mbi 300 sensorë, gjashtë stacione të vizionit kompjuterik (sisteme shikimi artificial), si dhe sisteme të automatizuara për trajtimin e materialeve dhe inspektimin.

Kjo linjë ka rritur vëllimin e prodhimit me 130 për qind, duke ulur njëkohësisht nevojën për fuqi punëtore me 23 për qind. Gjetiu në grup, CARACAL, e cila prodhon armë zjarri dhe municione të kalibrit të vogël, instaloi një sistem të automatizuar për ruajtjen dhe nxjerrjen e mallrave, i cili ka rritur densitetin e magazinimit me rreth 80 për qind dhe e ka bërë procesin e ruajtjes dhe nxjerrjes tri herë më të shpejtë. Gjithashtu, ky sistem e ka eliminuar nevojën për të investuar në një magazinë shtesë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com