Takimi me kongresmenët, Vokshi: Me delegacionin amerikan diskutuam për krimin, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas takimit me një delegacion të nivelit të lartë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, Kryetar i Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve.
Vokshi, mori pjesë në takim së bashku me deputetin Klevis Balliu, bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te demokracia, siguria dhe e ardhmja euroatlantike e Shqipërisë.
Sipas saj, gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat që lidhen me ndikimin e huaj, krimin e organizuar, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve.
Deputetja e PD-së thotë se me delegacionin amerikan u ndanë gjithashtu shqetësimet lidhur me standardet zgjedhore dhe nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme.
Pata kënaqësinë që, së bashku me kolegun Klevis Balliu, të takoja një delegacion të nivelit të lartë dypartiak të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, Kryetar i Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve.
Diskutuam hapur mbi demokracinë, sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, si dhe mbi sfidat që lidhen me ndikimin e huaj, krimin e organizuar, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë së NATO-s, stabilitetit rajonal dhe mbrojtjes së informacionit sensitiv të shkëmbyer me aleatët.
Ndamë gjithashtu shqetësimet tona mbi standardet zgjedhore dhe nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme, si themel i demokracisë dhe integrimit euroatlantik.
🇦🇱🇺🇸 Një takim i rëndësishëm për të përcjellë zërin dhe shqetësimet e Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com

