Përplasje të dhunshme për ligjin e Gjykatës Speciale
Policia bëri të ditur se në protestën e mbrëmshme u lënduan gjashtë zyrtarë policorë. Situata u përshkallëzua në përplasje me policinë pasi protestuesit tentuan të bllokonin hyrje-daljet e Kuvendit të Kosovës, duke mos lejuar deputetët të largoheshin nga ndërtesa pa votuar përfundimisht ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Ligji i ndryshuar për Gjykatën Speciale, imiratuar në lexim të parë gjatë paradites së 5 tetorit, mori mbështetjen e shumicës së deputetëve. Mirëpo, më vonë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi poshtë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që votimi në lexim të dytë të zhvillohej gjatë orëve të pasdites.
Ajo deklaroi se “më e rëndësishme është që fillimisht të bëhet zgjedhja e presidentit të vendit”, e më pas të procedohet me votimin në lexim të dytë të ligjit.

Shpjegimi i Policisë
Ky qëndrim u kundërshtua nga dy parti opozitare, PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ndërkohë, protestuesit filluan të hedhin mjete piroteknike dhe shishe qelqi në drejtim të Kuvendit dhe Policisë së Kosovës, duke bllokuar rrugët përreth institucionit dhe duke u vënë flakën disa kontejnerëve.
“Pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të vazhdueshme të Policisë për respektimin e ligjit dhe zhvillimin e protestës në mënyrë paqësore, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, përfshirë gazin lotsjellës, me qëllim që të mundësojnë largimin e personave nga Kuvendi dhe ta vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave dhe zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat u miratuan në lexim të parë nga Kuvendi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar si të ngutshme dhe të paanalizuara sa duhet. Megjithatë, ai ka deklaruar se qeveria që drejton e mbështet ndryshimin e ligjit.
Kushtëzimet mes Kurtit dhe PDK-së
Kurti theksoi se, para se ndryshimet të kalojnë në lexim të dytë, duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri është mesnata e 6 tetorit.

Zyrtarët e PDK-së, si nismëtarë të ndryshimeve ligjore, nuk pajtohen me këtë qëndrim, duke kërkuar që ligji të miratohet fillimisht në lexim të dytë dhe më pas të diskutohet për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të procedohet më tej me miratimin përfundimtar të ligjit për Gjykatën Speciale apo nëse prioritet do t’i jepet zgjedhjes së presidentit.
Nëse deri në mesnatën e 6 tetorit Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, Parlamenti i Kosovës shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme./DW
Fraksion.com

