“ ky Kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, Bardhi: Gjykatat në kolaps për pagat, përgjegjës Kuvendi që nuk zbatoi vendimin e Kushtetueses
Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot për të shqyrtuar i projektprogamin e punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator-16 tetor 2026 si dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 7 shtator-25 shtator 2026.
Gjatë mbledhjes, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e magjistratëve.
Sipas tij, gjykatat sot janë në kolaps pasi mazhoranca nuk reskpeton Kushtetuetën.
“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai.
Duke ju drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Bardhi tha se ka konsiderur më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.
“Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku tha se mazhoranca duhet të përcaktojë si prioritet integrimin.
“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një Kuvend që po punon për integrimin? Po jua them këtu një kërkesë të bërë para një viti: ndajeni me opozitën listën e ligjeve të integrimit. Integrimi do të duhet të jetë një proces transparent. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Pastaj na thoni neve se nuk punojmë për integrimin? Ju nuk jeni serioz dhe këtë proces po e trajtoni si të tillë”, tha ajo.
Gjithashtu ajo bëri thirrje që të hiqet dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme.
“ Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme ndryshe ky Kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, tha ajo.
Fraksion.com

