AktualitetPolitikëTë fundit

Sot dita e 100-të, paralajmërohet protestë masive: Rama jep dorëheqjen! Ju ka ardhur fundi!

Sot shënohet dita e 100-të e protestave kundër qeverisë, ndërsa në Tiranë pritet të zhvillohet një tubim i madh qytetar. Pas 100 ditësh protestash dhe marshimesh, aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndësishëm për vijimin e aksionit qytetar. Revolta qytetare ka nisur me 31 maj me atë që njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Protesta e sotme vjen pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë, kur qytetarët vijuan marshimin në kryeqytet dhe përsëritën kërkesat e tyre për ndryshim politik. Në qendër të thirrjeve të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Për protestën e ditës së 100-të, aktivistët kanë bërë thirrje që qytetarët të bashkohen jo vetëm nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Aktivisti Ilir Xhemalaj ka kërkuar pjesëmarrje masive dhe ka deklaruar se aksioni duhet të vijojë përmes mosbindjes civile.

Në deklaratat e bëra gjatë ditëve të fundit, aktivistët kanë paralajmëruar edhe përshkallëzim të protestave. Ata kanë folur për vijimin e mosbindjes civile dhe kanë përmendur bllokimin e institucioneve dhe rrugëve si forma të mundshme të aksionit.

Shkëndija e parë e Revolucionit Flamingo lidhet me kundërshtimin e projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, ku ndodhet edhe habitati i flamingove dhe i shumë specieve të tjera.

Nga protesta lokale, lëvizja u zhvendos në Tiranë dhe u përhap edhe në qytete të tjera, ndërsa diaspora organizoi protesta solidariteti jashtë vendit.

Me kalimin e ditëve, kauza u zgjerua përtej mbrojtjes së Nartës dhe flamingove. Në protestat e para nisën të dëgjoheshin gjithnjë e më shumë thirrje politike si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Në protestë nisën të përfshiheshin edhe shqetësime për arsimin, punësimin, standardin e jetesës dhe largimin e të rinjve nga vendi. Media ndërkombëtare i kushtuan vëmendje lëvizjes, duke e përshkruar transformimin e saj nga një protestë për flamingot në një revoltë me kërkesa shumë më të gjera politike. Me kalimin e javëve, protesta u shndërrua në një ritual të përditshëm në kryeqytet.

Qytetarët mblidhen në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshojnë drejt Kryeministrisë. Në mbrëmje zhvillohen fjalime, ndërsa pankartat, flamujt dhe sloganet u bënë pjesë e përditshme e protestës.

Me kalimin e kohës, në protestë u shfaqën edhe kërkesa për drejtësi, kundërshtime ndaj korrupsionit dhe thirrje drejtuar SPAK-ut. Lëvizja u shoqërua gjithashtu me debate mbi rolin e opozitës dhe mbi mungesën e një alternative të përbashkët politike.

“Revolucioni i Flamingove” nuk mbeti vetëm në Tiranë. Protesta dhe forma të tjera mobilizimi u shfaqën në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa shqiptarë në diasporë organizuan tubime solidariteti.

Lëvizja u shtri në Tiranë, Vlorë, Durrës, Korçë dhe qytete të tjera, ndërsa diaspora u përfshi përmes protestave jashtë Shqipërisë.
Në këtë fazë, flamingoja është kthyer në simbolin e një lëvizjeje që synon të shprehë pakënaqësi jo vetëm për një projekt konkret, por edhe për çështje më të gjera politike, ekonomike dhe sociale.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com