Tronditet Durrësi, dy shpërthime me eksplozivë brenda natës, raportohet vetëm për dëme materiale
Dy shpërthime me lëndë eksplozive kanë tronditur Durrësin në orët e para të mëngjesit.
Një shpërthim ka ndodhur në një garazh në zonën e Shkallnurit, duke alarmuar banorët e zonës. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të shumta materiale.
Ndërkohë, rreth orës 03:50, një tjetër shpërthim është regjistruar në një nga lokalet e shumta në zonën e lulishtes, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. Lokali i përkiste shtetasit Gëzim Kajno. Korrespondentja e Top Channel n Durrës, Vali Qyrfyçi, bën me dije se Kajno ishte dënuar për vrasjen e një personi para lokalit të tij në mars të vitit 2016.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Informacione paraprake
Rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, Durrës, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.
Gjithashtu, rreth orës 04:30, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për mbledhjen dhe administrimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Fraksion.com

