Riatdhesimi i pesë personave nga Siria, SHBA vlerëson Shqipërinë: Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën sot riatdhesimin e pesë shtetasve shqiptarë nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë, duke vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në kthimin e tyre në vend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada amerikane në Tiranë shprehet se këtyre familjeve tashmë u mundësohet një e ardhme më e sigurt, përmes mbështetjes për rehabilitim dhe riintegrim.
Sipas ambasadës amerikane kthimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm për familjet e riatdhesuara, por edhe për përpjekjet për forcimin e sigurisë.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Operacioni për riatdhesimin e tyre ishte kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Fraksion.com

