Skafi rrezikoi të fundosej në det, policia ndihmon 8 familjarë në Spille
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndihmuan drejtuesin e një skafi dhe 7 familjarë të tij në Spille, pasi mjeti rrezikonte të fundosej.
Sipas policisë, gjatë monitorimit të hapësirës detare në zonën e Spillesë, pas njoftimit se një mjet lundrues kërkonte ndihmë, rreth 1 milje nga bregu, në drejtim të Forsilukut, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare reaguan menjëherë, duke konstatuar një mjet lundrues tip skaf, në të cilin ndodheshin 8 shtetas, i cili kishte pësuar defekt në motor, ishte mbushur me ujë dhe rrezikonte të fundosej.
Policia i dha ndihmën e nevojshme drejtuesit të skafit dhe 7 familjarëve të tij, duke tërhequr mjetin lundrues dhe e nxjerrë atë në breg, në Karpen.
Të 8 shtetasit që ndodheshin në skaf ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti lundrues kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi dispononte leje drejtimi.
Fraksion.com

