AktualitetKosovaTë fundit

BIK kërkon verifikimin e dokumentit “Top sekret” në dosjen e Shehollit dhe pretendimeve për ndikim serb

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka kërkuar nga autoritetet e vendit ta hetojë “vërtetësinë” e një dokumenti të quajtur “Top sekret” në aktakuzën ndaj një të dyshuari për spiunazh për Serbinë, dhe pretendimet që përmban dokumente se gjoja kjo bashkësi fetare është e ndikuar nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.

Në një deklaratë publike të shtunën, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës së ngritur këtë javë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe dokumenti i cilësuar në publik si “Top sekret”, kanë krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.

Prokurorët e akuzojnë Shehollin – i cili ndodhet në paraburgim qëkurse u arrestua tetorin e kaluar – se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Në aktakuzën kundër tij, ndër të tjera, thuhet edhe se në telefonimin e sekuestruar të Shehollit ishte gjetur një fotografi e një dokumenti që ka mbishkrimin “Top sekret 2”, të shkruar në gjuhën serbe.

Në të thuhet se fonde të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë për gjoja të shtrirë ndikimin e islamit në Kosovë, përçarë shqiptarët, nxitur emigrimin dhe ndryshuar perceptimin e Perëndimit për Kosovën, me synimin për ta krijuar një terren ku Serbia do të mund të rikthente Kosovën nën juridiksionin e saj.

Tërnava tha se përmbajtja e pretendimeve të tilla është arsyeja pse ai po u drejtohej qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të së Kosovës “me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”.

“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, theksoi shefi i BIK-ut.

Ai i cilësoi pretendimet në atë dokument si “jashtëzakonisht të rënda”.

“Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, nguli këmbë ai.

Kosova është vend me shumicë myslimane, me rreth 95 për qind të banorëve që u deklaruan se i përkasin besimit islam në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2024.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet se shërbimi sekret serb synon t’i përdorë grupet islame në Kosovë.

Prokuroria Speciale, në një kërkesë për mbajtjen në paraburgim të Fehim Salit, i cili akuzohet për spiunazh për Serbinë, kishte thënë se Sali mblidhte, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.

Tërnava theksoi se, “po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj”.

Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të pa verifikuara, shtoi ai.

Ndërkohë, gjyqi kundër Fatmir Shehollit do të nisë më 7 shtator.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit./REL

 

Fraksion.xom

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com