BE pro rikthimit të gjyqtarëve serbë në drejtësinë e Kosovës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve e stafit serb dhe kërkon lirimin nga detyra. BE-ja shpreh “keqardhje të thellë”.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pritet të dekretojë lirimin nga detyra të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb i Kosovës, të cilët kishin kërkuar që të kthehen në punë, ndonëse ata vetë kishin dhënë dorëheqje tre vjet më parë. Këtë vendim, u.d. presidentja Haxhiu, pritet ta marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, organ ky i cili dy ditë më parë refuzoi kërkesën e bërë nga vetë gjyqtarët për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre, ndërkohë i ka kërkuar u.d. presidentes që me dekret t’i lirojë nga detyra. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se e mirëpret vendimin e Këshillit Gjyqësor dhe njoftoi se “në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, do të ndërmarrë veprime për lirimin nga detyra të tyre”.
Reagime nga Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje të thellë” për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb të Kosovës, sikundër rikujton BE-ja edhe vendimin e ngjashëm të korrikut të u.d. presidentes për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë. “Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në reagimin e BE-së. Sipas BE “vendimet për mospranimin e tërheqjeve të dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë bien ndesh edhe me parimet e një gjyqësori multietnik, duke dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës”.
BE: Sistemi gjyqësor të reflektojë diversitetin etnik
Sipas Bashkimit Evropian, sistemi gjyqësor i Kosovës duhet të reflektojë diversitetin etnik të vendit. “BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve përkatës që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e bëra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
U.d. presidentja Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më herët kishin kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të bënin kërkesë për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje kolektivisht vite më parë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian për të mos i bërë trysni institucionit të pavarur të gjyqësorit. Autoritetet kosovare këmbëngulin se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.
Ndërkohë, misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), pas vendimit të KGJK-së, i kërkoi këtij organi që të mbushë vendet e zbrazëta të punës për gjyqtarë dhe stafin mbështetës të tyre përmes, siç thonë, “një procesi punësimi transparent, përfshirës dhe të bazuar në merita”. “Një sistem juridik që reflekton komunitetet që u shërben është kyç për të siguruar qasje të barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë”, tha OSBE-ja.
Kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë vjen vetëm pak kohë pasi u.d. presidentja Albulena Haxhiu liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë dhe stafin e tyre mbështetës që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Edhe në këtë rast, Bashkimi Evropian, pas lirimit nga detyra të prokurorëve serbë, pati reaguar ndaj autoriteteve kosovare duke shprehur shqetësim dhe duke i cilësuar këto vendime si “jo në përputhje me ligjin, kërkesat procedurale dhe sundimin e ligjit në Kosovë”.
Largimi i gjytarëve dhe prokurorëve serbë në vitin 2022
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte pjesë e marrëveshjeve në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2022, 130 gjyqtarë, prokurorë, policë dhe staf përcjellës të tyre serbë, kryesisht nga veriu i Kosovës, kishin dhënë dorëheqje, pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës që shkarkoi nga detyra drejtorin serb të Policisë për rajonin e veriut. Ai pati refuzuar ta zbatonte një vendim të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale serbe të automjeteve, ndonëse ky vendim i Qeverisë hyri në fuqi dhe tashmë ai implementohet në Kosovë.
Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, me mbështetjen edhe të autoriteteve në Beograd. Këta të fundit, punonjësve serbë të dorëhequr, u dhanë kontrata të përkohshme pune në institucionet paralele serbe në Kosovë dhe ata paguheshin nga buxheti i Serbisë. Por, në fund të vitit 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lista Srpska u bënë thirrje serbëve që të rikthehen në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë, duke pranuar se largimi i tyre në vitin 2022 në mënyrë kolektive ishte gabim. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga u.d. kryeministri Albin Kurti, thotë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese, bazuar në ligjet e Kosovës./DW
Fraksion.com

