Situata nga zjarret, katër vatra aktive dhe shtatë në monitorim
Ministria e Mbrojtjes informoi sot se deri në orën 14:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, ndërsa vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile.
Gjatë ditës janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje. Në operacione janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Sipas MM në Gojan–Gjegjan (Pukë) vijon operacioni i gjerë nga toka dhe ajri. Janë angazhuar 15 efektivë MZSH Pukë me 4 mjete, 12 efektivë Fushë-Arrëz me 2 mjete, 5 efektivë Kamëz me 1 mjet, 13 punonjës pyjorë, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA-së, si dhe mjete të rënda dhe 2 helikopterë të FA-së. Ndërhyrja ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në Gojan të Madh dhe Gojan të Vogël.
Në Shtanë–Tenë (Mirditë) operacioni vijon me forca të MZSH-së, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë vijon ndërhyrja në Malin e Dajtit me 25 efektivë MZSH, 5 forca ADZM dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter dhe 2 avionë “Air Tractor”. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Shtuf (Mirditë) vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Në Dukat, pas angazhimit të forcave tokësore dhe mbështetjes së FA-së, zjarri raportohet i fikur dhe po mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa edhe vatrat e tjera të raportuara në Dibër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë në mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bëri me dije se vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Feaksion.com

